Aktiviteti muzikor në vendin tonë për shkak të pandemisë ka pësuar goditje të madhe, por edhe ndihma që duhet për artistët ka munguar nga institucionet. Për kompozitorin e njohur Haig Zacharian duhet bërë shumë më tepër në ndihmë të artistëve në vend, por sipas tij prej vitesh vazhdon të mungojë dhe ai që është pohuar si fond për krijimtarinë e re muzikore nga Ministria e Kulturës. Në intervistën për gazetën “SOT” pedagogu i arteve dhe kompozitori i njohur Haig Zacharian shprehet se krijimtaria muzikore shqiptare duhet stimuluar dhe promovimi i muzikës shqiptare kërkon dhe investim nga institucionet. Kompozitori Haig Zacharian flet dhe për projektin e festivalit “Romanca Shqiptare”, që këtë vit për shkak të vështirësive po mundohen të prezantojnë diçka në formatin online. Haig Zacharian ka krijuar vepra të shumta në gjini të ndryshme të muzikës (vepra e tij janë luajtur në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare si dhe në Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Itali, Austri, Spanjë). Ka kompozuar gjithashtu këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme. Sipas kritikëve, stili i muzikës së tij është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë. Është vlerësuar me çmime të shumta për krijimtarinë dhe aktivitetet e tij muzikore. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij përveç filmave është kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore. Haig Zacharian ka titullin “Profesor”.
-Pandemia sipas artistëve e ka goditur shumë edhe artin në vendin tonë. Artistët ndërkohë po përpiqen të zhvillojnë aktivitete të ndryshme. Sa e vështirë është kjo?
Artistët do të mundohen që ti zhvillojnë aktivitetet e tyre me të gjitha mundësitë, që ata kanë. Kujdesi për ti bërë i takon dikujt që i ka marrë përsipër, por është shumë e vështirë për artistët kjo kohë dhe ata përballen mes shumë vështirësive për zhvillimin e tyre. Muzika nuk do të qëndronte veç kësaj goditje, që pësoi arti nga pandemia në vendin tonë. Ishte një goditja e madhe kjo që ndodhi dhe problemet vazhdojnë. Në fushën e muzikës edhe mbyllja solli shumë probleme, madje për mua arti e ka pësuar më rëndë nga të gjithë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në të gjithë botën. Në vendin tonë di që edhe disa artistë të sektorit të pavarur më herët folën për problemet që kishin dhe kërkuan ndihmë, por nuk e di çfarë ka bërë deri tani Ministria e Kulturës në vendin tonë. Por ajo që unë mendoj është se artistët duhet të ndihmohen. Janë artistë që nuk janë të punësuar askund dhe duhet të ndihmohen, sepse jeta artistike u pezullua disa muaj. Unë di që ata duhet të mbështeten padiskutim dhe nuk mund të lihen pa ndihmë. Artistët e sektorit të pavarur kanë kontributin e tyre, në jetën shoqërore të njerëzve.
-Ka pasur artistë që gjatë kësaj kohe janë shprehur se duhet të kemi një hapje të institucioneve të teatrit. Ju si e shikoni këtë kërkesë, si mendoni?
Unë di që Europa ka nisur t’i hapë teatrot edhe pse mes shumë rregullave, që duhet të zbatohen ndaj covid-19. Çdo gjë duhet bërë me shumë kujdes, sepse ne në vendin tonë i kemi shumë të pakta mundësitë për kurimin e njerëzve. Teatrot duhen hapur dhe jeta artistike duhet të vazhdojë, por duhet kujdes dhe të zbatohen rregullat e kohës. Kjo që kemi tani nuk ikën, do të jetë shoqëruesja e jonë dhe ne duhet të kemi shumë kujdes ndaj saj, por jeta artistike duhet të vazhdojë.
-Për ju sa promovohet krijimtaria muzikore shqiptare nga institucionet sot dhe ku qëndron problemi?
Promovimi i krijimtarisë muzikore shqiptare kërkon dhe investim nga institucionet, dhe nuk bëhet thjesht vetëm me vullnet kushdo qoftë. Pa investim të gjitha gjërat e tjera bien poshtë. Ministria e Kulturës duhet ta ketë në vëmendje këtë gjë. Ashtu siç bën përshembull promovimin e arkitekturës së vjetër, thesareve të kombit e artit, edhe muzika shqiptare duke qenë se dhe u bë kohë që po ambalazhohet tani promovimi ka dhe një avantazh. Promovimi i muzikës përveçse e risjell veprën muzikore, por dhe duke e rigjallëruar nxjerr vlerat e tjera që nuk ndodh me veprat e arteve të bukura, si piktura, skulptura, mozaikët, etj. Interpretimi ose ri-interpretimi rrit vlera, mirëpo kjo kërkon përveç vullnetit e programimit edhe investim. Nëse nuk ka investim nga institucionet të tjerat janë fjalë kot. Ministria e Kulturës apo dhe të tjerë institucione, që merren me artin dhe kulturën duhet të bëjnë shumë më tepër dhe për muzikën shqiptare. Edhe para 1944 nëse është shkruar një vepër muzikore, kur dikush e sjell sot dhe e interpreton fiton vlera të reja, gjë që nuk ndodh me veprat e arteve të tjera. Mund të ndodhi kjo me veprat skenike në teatër, por veprat si piktura, skulptura, etj, vetëm sa ruhen. Kjo është diferenca. Edhe këtë kohë janë disa projekte, që ka aprovuar Ministria e Kulturës dhe po zhvillohen, po aplikohen edhe pse me vështirësi. Problemi sot qëndron te muzika dhe te ligji për të drejtën e autorit.
-Ju jeni shprehur dhe për problemet që janë me mungesën e konkurseve në fushën e muzikës në vendin tonë, ndërsa në Kosovë jepen çmime. Për ju si ndikon kjo?
Nëse nuk stimulohet krijimtaria muzikore, normal që çdo gjë ftohet dhe ikën dhe dëshira për punë. Kur nuk është vënë uji në zjarr nga askush, dihet që çdo gjë ftohet.
-Çfarë po ndodh me festivalin “Romanca Shqiptare”, deri më tani nuk është njoftuar zhvillimi i tij?
Ne po mundohemi këtë vit si organizatorë të këtij festivali, që prej vitesh zhvillohet në vendin tonë me në fokus krijimtarinë e re muzikore shqiptare, që të sjellim diçka në formatin online. Ne do ti incizojmë materialet muzikore veç e veç dhe me pas do të grupohen dhe do ti shfaqim. Unë nuk e di tamam teknikisht se si do ta prezantojmë, por mendoj se nuk do ta zhvillojmë në sallën koncertesh, sepse gjithçka varet nga rregullat që ka shteti. Ne këtë vit nuk u mbështetëm nga Ministria e Kulturës dhe po mundohemi vetë për ta zhvilluar, që të mos e lëmë këtë vit pa zhvilluar. Për krijuesit e muzikës është shumë e vështirë, që të mbajnë gjallë krijimtarinë me aktivitetin e tyre, është në kufijtë e pamundësisë. Ne çdo gjë e paguajmë nga të ardhurat tona personale. Kushdo që do të bëjë një aktivitet duhet ta financojë nga vetja e tij. Jo vetëm këtë vit, por u bë dy vjet që për festivalin “Romanca Shqiptare” nuk kemi pasur ndihmë nga Ministria e Kulturës.
-Një jetë artistike në vendin tonë ku prej vitesh mungon ai që është pohuar si fond i veçantë për krijimtarinë e re muzikore nga Ministria e Kulturës. Një kërkesë që prej vitesh është bërë në drejtim të ministrisë. Për ju si ndikon kjo në aktivitetin artistik muzikor?
Ne kemi vite që e kemi këtë kërkesë, por ende asgjë. Kur nuk të dëgjon njeri çfarë të themi. Nuk duan t’ia dinë. Kjo kërkesë është thënë në media dhe në forumet e ndryshme, por ende asgjë. Duhet të krijohet një fond për muzikën. Nëse Ministra e Kulturës ka vullnetin ta ndajë këtë fond, nuk ka problem. Por për krijimtarinë muzikore shqiptare në vend me sa dimë nuk është parashikuar gjë. Nëse nuk është parashikuar ende, atëherë është e kotë të flasim. Nëse nuk është llogaritur për këtë vit, në 2021 është zero fond. Nëse e llogarisin në 2021 është për vitin 2022. Pra fondi duhet menduar që një vit para për krijimtarinë muzikore. Por nëse Ministria e Kulturës nuk e ka llogaritur në buxhet, nuk ka se ku ta gjejë në vitin 2021. Edhe pse besoj se nuk është ndonjë fond shumë i madh në para, sepse me aq para sa për të shtrirë një kilometër asfalt bëhet fond për të gjithë krijimtarinë muzikore në vend. Por me këtë gjendje që jemi ne vetëm presim. Zero fondi për krijimtarinë e re muzikore shqiptare dhe asnjë institucion nuk ka, përveç festivalit të RTSH apo festivali i Shkodrës që kanë për këngët. Nëse nuk ka fond për krijimtarinë muzikore nuk do të ketë vepra.
-Me çfarë po merreni këtë kohë në krijimtarinë tuaj?
Në muajin mars kisha bërë muzikën për komedinë e Stefan Çapalikut dhe tani kam dhe një romancë. Romanca do të jetë në këtë projekt, që po e mendojmë ta prezantojmë në formatin online.
Romanca shqiptare
Festivali i “Romancës Shqiptare” në drejtimin e kompozitorëve Haig Zacharian dhe Endri Sina është një aktivitet sa tradicional aq dhe elitar i muzikës shqiptare. U zhvillua për shumë vite rresht pas viteve ‘90 nga shoqata “Tonin Harapi”. Pas viteve 2000 për arsye të ndryshme nuk arriti të ketë vazhdimësi, duke krijuar tashmë një hapësire boshe në rrugëtimin e muzikës së re shqiptare. Kjo mangësi në fushën e krijimtarisë vokale nxiti krijues dhe interpretues në idenë e riaktivizimit të këtij festivali. Dobia dhe impakti i këtij lloj festivali në jetën koncertore muzikore kombëtare e kishin bërë të domosdoshme riaktivizimin e tij si dhe rikthimin e kompozitorëve, apo këngëtarëve drejt gjinisë së romancës vokale, gjë që u bë e mundur nga shoqata ACA (Shoqata e Kompozitorëve Shqiptarë). Kjo lloj gjinie vokale instrumentale bën pjesë në grupin elitar të muzikës së dhomës dhe njëkohësisht krijon mundësi komunikimi të lehta në shtrirje (qytete të ndryshme) për shkak të formatit të thjeshtë (solist-shoqërues). Festivali Romanca Shqiptare zhvilloi edicionin e njëmbëdhjetë në vitin 2018 në skenën e Universitetit të Arteve. Para dy vitesh veprat e 15 autorëve shqiptarë erdhën për të pranishmit në festival nën interpretimin e artistëve të njohur lirikë. Në 2018 organizatorët e tij u shprehën se festivali në edicionin e 11 u përcoll më interesin e publikut, por problemet me buxhetin e paktë nuk munguan. Sipas tyre në festival deri në 15 romanca mund të ishin, kjo për shkak të fondit të paktë, por dhe problemeve të tjera. Në 2019 festivali nuk u zhvillua sepse nuk pati mbështete financiare.
Intervistoi: Julia Vrapi