Ansambli Popullor vjen me koncertin “Në gjurmët e të parëve tanë”

0
27

Koncerti i Ansamblit Popullor të Këngëve dhe Valleve “Në gjurmët e të parëve tanë” vjen të premten në mbrëmje, në programin artistik online të institucionit. Një koncert i dedikuar Tiranës, këngëve, valleve dhe melodive që të ngrenë peshë. Me solistët e vokalit, orkestrën dhe trupën e valleve ky koncert u zhvillua disa kohë më parë në 100 -vjetorin e Tiranës dhe në kuadër të ditëve të trashëgimisë kulturore. Teatri Kombëtar i Operës, Baleti dhe Ansamblit Popullor lajmëron se më datë 23 tetor në orën 20:30 koncerti mund të ndiqet në youtube dhe Facebook, si dhe në www.tkob.gov.al. Ky koncert që u zhvillua në ditët e para të muajit tetor çeli dhe sezonin artistik të Ansamblit Popullor dhe u përcoll me shumë interes nga të pranishmit, në mjediset e jashtme të Muzeut Historik Kombëtar. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. AKVP-ja prej dekadash është kthyer në një laborator për përpunimin dhe interpretimin me kërkesa mjaft të larta artistike të thesarit të madh burimor folklorik duke bërë të mundur transmetimin e tij brez mbas brezi. AKVP-ja ka mbledhur artistët më të talentuar në këtë drejtim, që të pasqyrojë sa më denjësisht kulturën shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në jetën e tij artistike, AKVP-ja ka rreth 100 premiera, me repertor të zgjedhur muzikor.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj