Teatri Kombëtar Eksperimental sot në Durrës me ” Jul Cezarin”

0
19

Vepra e Shekspirit “Jul Cezari” ndalon këtë mbrëmje, në qytetin e Durrësit. Prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, shfaqja teatrore me regji nga Ivica Buljan do të shfaqet për publikun tek Forumi Mesjetar pas teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit. Teatri Eksperimental vijon turin artistik me këtë vepër të suksesshme teatrore të Shekspirit, ku mbrëmja e së mërkurës është në Durrës. Teatri shprehet se shfaqja “Jul Cezari” trondit publikun. “ 21 tetor, ora 18:30 tek Forumi Mesjetar pas teatrit “A. Moisiu”. Shfaqja që trondit publikun që në premierën e saj. E vlerësuar maksimalisht nga kritika. Me regjinë e të mirënjohurit Ivica Buljan vjen për t’ju magjepsur. Mos e humb”, shprehet teatri. Para se të vinte për publikun në qytetin e Durrësit, shfaqja “Jul Cezari” u shfaq në qytetin e Beratit, duke marrë dhe atje vlerësimin e publikut. Në qytetin bregdetar të Durrësit vepra teatrore e Shekspirit “Jul Cezari” shfaqet për herë të parë. Edhe pse një kohë e vështirë për jetën artistike, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” po gjen mënyrat për të qenë pranë publikut me veprat e tij teatrore, ku po i shfaq në mjedise të ndryshme jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. Me regji nga Ivica Buljan vepra teatrore e Shekspirit interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Ilia Kaçi, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Alert Çeloaliaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika dhe Anxhelo Shkreli. Në qytetin e Durrësit kjo vepër teatrore shënon shfaqjen e 16 të saj. Kur u dha premierë në Tiranë, regjisori i njohur ndërkombëtarisht Ivica Buljan e solli tragjedinë e Shekspirit jo në skenën teatrore, por në sheshin e Teatrit Kombëtar në korrik të 2019. Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni e Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qëndrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë.

Aktiviteti me teatrin

Gjatë karrierës së tij si regjisor Ivica Buljan ka vënë në skenë vepra të ndryshme teatrore të njohura, por Shekspirin e solli për herë të parë me trupën shqiptare. Më herët regjisori Buljan pohoi se kjo pjesë është aktuale jo vetëm për Shqipërinë, por dhe në botë. ““Jul Cezari” është i pari thriller politik në çdo kohë, madje kjo vepër është aktuale jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”, tha ai mes të tjerave. Regjisori Ivica Buljan ka studiuar shkenca politike në Zagreb dhe fillimisht ka punuar si shkrimtar dhe kritik i rregullt i teatrit për “Slobodna Dalmacija”, një gazetë e përditshme e botuar në Split, Kroaci. Buljan me shkrimet e tij profesionale ka bashkëpunuar edhe me revistat teatrore ndërkombëtare “Primer Acto” (Madrid), “Ubu” (Paris, Londër), “Mask” (Ljubljana). Fillimisht nisi të punojë me skenën teatrore si drejtues teatri dhe i disa festivaleve ndërkombëtare teatrore. Shfaqjet e tij kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Duke u mbështetur në filozofinë krijuese të Antonin Artaud, teatri i tij fokusohet në protagonizmin e aktorit dhe ruan linjat klasike të teatrit. Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte, Teatri Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Evropian. Buljan është gjithashtu bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit Mini në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb. I vlerësuar për mjeshtërinë e tij dhe sukseset skenike Buljan ka dhënë mësime teatri në Paris, Bruksel dhe Moskë dhe si lektor ligjërues në La MaMa në Nju Jork.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj