TOB: Opereta “Agimi”, ngjarje e shënuar në muzikën shqiptare

0
30

“Agimi” është opereta e parë në krijimtarinë shqiptare, e cila u kompozua me rastin e 10 vjetorit të çlirimit në vitin 1954 nga kompozitori Kristo Kono “Artist i popullit”. Teatri i Operës dhe Baletit ka publikuar një material kushtuar kësaj vepre, ku shprehet se opereta “Agimi” u shfaq për herë të parë në skenë nga amatorët e Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Korçës dhe një vit më vonë kjo operetë u shfaq në skenë nga Filarmonia Shqiptare, më 30 prill të vitit 1955. “Realizuesit e saj ishin regjisori Pandi Stillu, piktori Hysen Devolli, dirigjenti Kostandin Trako dhe koreografi Panajot Kanaçi. Në rolet kryesorë interpretuan Marie Kraja, Zihni Berati, Gjenovefa Heba, Haxhi Tafaj, Myrvete Theodhosi, Koço Timko, Jorgjia Misja, Hysen Kurti dhe Maliq Herri. Nga kritika e kohës kjo vepër u cilësua si ngjarje e shënuar për muzikën shqiptare”, shkruan Teatri i Operës dhe Baletit. Kristo Kono (Korçë, 22 janar 1907 – 22 janar 1991) ka qenë kompozitor shqiptar. Që i vogël bie në kontakt me muzikën dhe me shoqëritë kulturore të qytetit. Ishin pikërisht këto shoqëri ku Kristo Kono mori njohuritë e para muzikore dhe i përforcuan dëshirën dhe pasionin për muzikën. Fare i ri mori pjesë në bandën muzikore të qytetit, ku mësoi ti binte klarinetës. Krijimtarinë e tij muzikore e filloi qysh në vitet ‘20 me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927 Kono shkon për studime në Itali, ku studioi për drejtues orkestre. Me t’u kthyer në atdhe Kristo, që në kontaktin e parë me publikun korçar ku ai u paraqit si kompozitor në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu” në shtator 1932, fitoi admirimin e publikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me krijimtarinë e tij. Pas çlirimit të vendit veprimtaria krijuese artistike e Konos njohu përmasa të reja, muzika e tij u ekzekutua nga orkestra e ansamble profesioniste, u transmetua nga radio, u incizua nëpër pllaka e u botua nëpër libra. I frytshëm ka qenë bashkëpunimi i Konos me këngëtaren e mirënjohur Tefta Tashko Koço e cila nga krijimtaria e Konos interpretoi me shumë sukses këngët “Kur më vjen burri nga stani”, “Fol e qesh moj sylarushe”, “Fryn veriu në Mal të Thatë”, etj. Ka meritën se kompozoi operetën “Agimi” në vitin 1954, e cila i hapi rrugën zhvillimit të operas në vendin tonë. Pas kësaj kompozoi edhe dy opereta të tjera ”Së bashku jeta është e bukur” më 1957 dhe “Brigadierja” më 1968. Kryevepra e Kristo Konos ishte opera “Lulja e kujtimit”, në 1961.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj