Regjisorja Xhanfise Keko, në televizionin amerikan me filmin “Tomka dhe shokët e tij”

    0
    245

    Filmi “Tomka dhe shokët e tij” me regji nga Xhanfise Keko do të shfaqet në televizionin amerikan. Një vlerësim për regjisoren shqiptare në Amerikë, në programin që i dedikohet 100 regjisoreve gra më të shquara nga 44 vende të botës. Filmi “Tomka dhe shokët e tij”, sot në ora 9:15 PM, do të shfaqet për teleshikuesin amerikan përmes kanalit televiziv TCM (Turner Classical Movies), i cili nga 1 shtatori 2020, ka nisur programin “Women make film”, dedikuar 100 regjisoreve gra më të shquara nga 44 vende në gjashtë kontinentet dhe që krijuan në një periudhë kohe prej 12 dekadash. Mes tyre dhe regjisorja e mirënjohur shqiptare Xhanfise Keko. Organizatorët e programit, në prezantimin që i bëjnë regjisores shqiptare përmes spotit televiziv dhe faqes on line të TCM, vlerësojnë aktivitetin saj me kinematografinë. “Xhanfise Keko është e vetmja regjisore grua në Shqipëri, e vetmja grua që realizoi filma me metrazh të gjatë në Shqipërinë komuniste dhe që ia dedikoi gjithë krijimtarinë shumë vjeçare fëmijëve. Ajo është një nga regjisorët më të njohur dhe më të vlerësuar në vendin e saj për zotërimin e një afrimi ndjesor dhe zërin origjinal e bashkëkohor. Megjithatë, përkundër një karriere të suksesshme, ajo ende nuk është aq e njohur jashtë vendit të saj. Një arsye, mendon kritiku i filmit Mark Cousins, është se, meqë ishte një grua që bënte filma për fëmijë, ajo nuk konsiderohej e rëndësishme”, thuhet për regjisoren e njohur. Por sipas organizatorëve të programit, siç theksoi Muzeu Austriak i Filmit në homazhin dedikuar regjisores shqiptare në vitin 2019, eksplorimi unik i Kekos në jetën e fëmijëve e ka vendosur regjisoren shqiptare në podin kryesor në kinemanë e pazbuluar të vendit të saj.

    Studiuesit, vlerësim punës së regjisores

    Xhanfise Keko, e cila studioi për montazhin e filmave dokumentarë në Moskë, thekson TCM, është një nga themeluesit e Kinostudios “Shqipëria e Re” (1952). “Për dy dekada ajo realizoi një numër filmash dokumentarë me tematikë të ndryshme derisa ndaloi dhe u fokusua përfundimisht tek fëmijët për të cilët realizoi 11 filma artistikë, mes tyre, “Mimoza llastica” (1973), “Beni ecën vetë”(1975), “Tomka dhe shokët e tij” (1977), “Kur xhirohej një film” (1981), etj. Vlen të theksohet gjithashtu se, prej disa kohësh studiuesit perëndimorë po analizojnë dhe vlerësojnë punën e saj si në dokumentarët e Mark Cousins “Historia e fëmijëve në film” (2014) dhe “Gratë bëjnë film” (2017) ashtu dhe artikuj të ndryshëm, botuar në revista kinematografike të njohura ndërkombëtarisht”, vijon më tej TMC. Shfaqja e filmit “Tomka dhe shokët e tij” sonte në mbrëmje në kanalin televiziv amerikan TCM, dedikuar filmave më të mirë klasikë të krijuar deri në fillim vitet 80-të, e vë autoren e tij, regjisoren Xhanfise Keko, mes më të mirëve të historisë së kinemasë. Filmi “Tomka dhe shokët e tij” është prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1977. Me regji nga Xhanfise Keko, skenari i filmit është shkruar nga Nasho Jorgaqi, muzika Aleksandër Lalo dhe dirigjent Ferdinand Deda. Në film, Tomka është një djalë i vogël që i pëlqen të luajë me top së bashku me shokët e tij. Por fushën e futbollit e marrin nazistët që kanë hyrë në qytet. Tomka nën kujdesin e të rriturve fillon të organizojë aksione kundër kampit ushtarak që është dislokuar në fushën e tyre të dikurshme të lojës. Xhanfise Keko (1928-2007) ishte regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë dhe konsiderohet, si pionierja e atij zhanri filmi në Shqipëri.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here