Telefonoi familjarët 15 ditë pasi u zhduk/ Kush e rrëmbeu Marteo Bejajn, dalin detajet tronditëse dhe dyshimet e forta për hallën e tij

0
459

Në vitin 2011 vogëlushi Marteo Bejaj humbi kontaktet me familjen. Kur s’kishin kaluar as 15 ditë një telefonatë do të zgjonte shpresat e familjes. Policia po njoftonte familjarët që të shkonin dhe të merrnin djalin në Durrës pasi ishte gjetur aty.

“Kishte djali 15 ditë i ikur, në kërkim e sipër na marrin nga Durrësi. Drejtori i Policisë së Durrësit na thonë që është gjetur Mateo. Na vijnë disa bashkëfshatarët tanë me makinë, Shakajt se ishin njoftuar dhe ata nga Arben Malaj që djali është gjetur. Pastaj na marrin nga policia e Vlorës, ishte drejtor Ylli Metko, na thotë eja se do shkojmë të marrim djalin në Durrës se është gjetur. Gëzim i pa parë…. Sapo po bëheshim gati na thonë që nuk është djali juaj”, tregon mamaja e Marteos.

Ky lapsus i rëndë i shefit të Policisë së Durrësit, do të zgjonte dyshimet e forta tek familjarët. Habia ishte sesi mund të gabonin institucionet shtetërore, në një çështje kaq delikate?!

“Erdha në Vlorë te Policia dhe kërkova se si mund të gabojë policia e shtetit, se nuk ma tha një njeri i rrugës por ma tha shteti. Ata na thanë që ishte Marteo Bejaj i biri i Elhamit dhe Arjanës i vëllai Brisildës dhe Fabjolës por nuk ishte 14 vjec por ishte 23 vjec. Unë që aty e kam pikën e dyshimit të parë, nuk e kam besuar kurrë. Pastaj i kam kërkuar drejtorit Ylli Metko atëherë një takim me këtë djalë që ta njoh kush ishte ky. Asnjëherë nuk ma mundësuan këtë takim,” shprehet Arjana Bejaj

Jo pak herë ndodh që të ketë persona me të njëjtin emër dhe mbiemër, madje të jenë të njëjtë edhe emrat e prindërve. Por rastësia do të ishte shumë e madhe sikur të kishte edhe dy motra me të njëjtin emër si Marteo.

Në këto dyshime Top Story bën indentifikimin në regjistrin e gjendjes civile dhe nuk rezulton asnjë person tjetër me këtë emër dhe mbiemër, e aq më pak me ngjashmëri deri te emrat e prindërve.

Një detaj që tërheq vëmendjen në këtë çështje është edhe dyshimet që ka familja ndaj hallës së Marteos, Marjana Brahimaj.

“Di që djali më ka ikur nga halla dhe e kërkoj tek ajo. Pikënisja e fundit ka qenë nga halla se ka qenë tre ditë e tre netë te halla. Edhe kur më iku djali nuk është se ajo hallë erdhi dhe u interesua se qysh ndodhi. Por edhe kur erdhi thoshte ti mos qaj se djali ha mish e oriz këtu është do vijë. Po ku është moj?! Pastaj na dolën muhabete që do 20 mijë euro djali të dalë etj etj…Shtet ska se po të ketë shtet mbase do të kishte dalë ndonjë gjë,” shprehet Arjana Bejaj.

Pas fjalëve të hallës se djali ishte mirë, familja filloi të dyshonte se ajo ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhdukjen e Marteos. Për këtë arsye në mënyrë individuale i kanë vënë një person që të vëzhgojë lëvizjet e saj.

Ishte shtator kur Marjana Brahimaj e veshur me një fustan blu dhe një çantë dore, po vëzhgohej nga një agjent privat. Ajo ka hyrë në një dyqan dhe ka blerë një çadër dielli ngjyrë të bardhë. Pasi ka dalë nga dyqani i është drejtuar zyrës së një avokati, pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë, ku ka qëndruar rreth 30 minuta. Më pas ajo ka hyrë në një zyrë tjetër ku ka qëndruar fare pak minuta.

Sipas dëshmisë së personit përpara forcave blu, Marjana ka ecur në këmbë drejt Skelës në Vlorë. Më pas ajo është futur në një dyqan që thoshte 30-50% ulje. Ka dalë me një fustan tjetër dhe me çadrën e hapur është nisur drejt stacionit urban të linjës Vlorë –Skelë duke parë majtas – djathtas.

Marjana ka vazhduar rrugën me autobus deri te Riviera. Aty ka zbritur dhe ka vazhduar rrugën në këmbë drejt portit të Vlorës. Rreth 150 metra pa mbërritur te porti, asaj i ka prerë rrugën një Audi gri me targa angleze. Numri i targës ka qenë T484AVN815. Ajo është ulur në vendin e parë dhe makina është kthyer pas duke shkuar drejt spitalit psikiatrik. Aty ka hyrë në një vilë.

Pas 15 minutash, Marjana Brahimaj ka dalë me një makinë tjetër të zezë me targa angleze. Atë e kanë shoqëruar dy burra të cilët janë ulur para, ndërsa ajo është ulur pas. Makina ka qenë me xhama të zinjë. Aty personi që po e ndiqte humbi gjurmët e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here