“Cirku Fluturues” bazuar në një ngjarje të vërtetë/ Premierë në Tiranë në festivalin “Dea open air”

0
28

Filmi “Cirku Fluturues” me regji nga Fatos Berisha shënoi premierën në Tiranë, në mbrëmjen e parë të edicionit të shtatë të festivalit të filmit “Dea open air”. Premierë në Tiranë, filmi me skenar dhe regji nga Fatos Berisha konkurron në edicionin e shtatë të këtij festivali ndërkombëtar filmi. “Cirku Fluturues” u shfaq në Tiranë disa ditë pasi mori çmimin kryesor “Grand Jury Prix”, në festivalin e filmit “War on Screen IFF” në Chalons-en-Champagne, që u zhvillua në Francë. Ndërsa mbrëmë u shfaq premierë dhe është në konkurrim në “Dea open air”, “Cirku Fluturues” rrugëtimin ndërkombëtar e nisi vitin e kaluar me premierën botërore në Tallin të Estonisë, për të vijuar në “Santa Barbara International Film Festival” të Kalifornisë, ku triumfoi si “Filmi më i mirë ndërkombëtar”. “Cirku Fluturues” është një projekt, që bën bashkë aktorë nga Kosova dhe Shqipëria në ngjarjet e tij. Si producente Vjosa Berisha pak orë para premierës u shpreh se filmi ka pasur një rrugëtim deri tani me vlerësime të ndryshme në festivale ndërkombëtare, por me rëndësi është dhe pjesëmarrja në edicionin e shtatë të “Dea open air”. “Ne sapo fituam “Grand Prix de Jury” në Francë, kemi marrë çmim në Santa Barbara në janar “Best film”, në Fabrique du Cinema në Itali “Best film” në dhjetor 2019, dhe tani në Francë në festivalin “War on Screen” fituam çmimin kryesor. Premiera e “Cirkut Fluturues” në Shqipëri ka një rëndësi të veçantë për filmin tonë, sepse 80 për qind e tij është xhiruar në Shqipëri dhe një pjesë e madhe e ekipit vjen nga Shqipëria. Jemi shumë të lumtur që do të hapim festivalin “Dea”. Falënderojmë posaçërisht Bashkinë e Tiranës, që na ka ofruar një ndihmë të madhe gjatë xhirimeve dhe udhëheqësin e festivalit Edmond Topi për zgjedhjen e “Cirkut Fluturues”, që të hapi festivalin”, shprehet producentja Vjosa Berisha, që shton se shpresojnë që së shpejti filmin ta shfaqin edhe në kinematë në Shqipëri.

Filmi i bazuar në një ngjarje të vërtetë

“Cirku Fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë në fund të viteve ’90, e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku Fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic, ndërsa në rolet dytësore Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi, etj. Filmi “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha i zhvilloi xhirimet në 2018. Xhirimet e këtij projekti kinematografik që nisën në Kosovë u zhvendosën dhe në Shqipëri. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Dikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika. Festivali ndërkombëtar i filmit “Dea open air” vjen të hënën në mbrëmjen e dytë të tij, ku filmat do të shfaqen në kinemanë “Dea open air 1” dhe “Dea open air 2”, që janë për filmat në Universitetin e Arteve. Ky është edicioni i dytë që zhvillohet në Tiranë, pas pesë edicionesh në Sarandë dhe Gjirokastër, pas të cilave organizatorët vendosën në favor të zgjerimit gjeografik të pranisë së festivalit, për shkak të prurjeve të tij.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj