“Bolero në vilën e pleqve”/ Drama shqiptare në “Fusion International Film Festival” në Varshavë

0
42

Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani është përzgjedhur në “Fusion International Film Festival”, që do të zhvillohet në dhjetor në Varshavë. Filmi shqiptar është përzgjedhur në një garë ndërkombëtare, ku marrin pjesë prodhime të ndryshme nga bota. Filmi me skenar nga Spartak Pecani dhe Linda Fejzaj është një kompleks ndjenjash, marrëdhëniesh që nxjerrin në pah realitetin, të vërtetat që ndonjëherë është frikë ti thuash me zë të lartë, me motive të veprës së Fatos Kongolit me të njëjtin titull. Po sa e thjeshtë apo e vështirë është të merresh me një vepër, të një shkrimtari të madh siç është Kongoli, për ta kthyer atë në produkt kinematografik? Si bashkëskenariste Linda Fejzaj thotë se është një punë e madhe dhe se filmi nuk është një novelë. “Nuk është e thjeshtë, është një punë e madhe, në luftë të vazhdueshme me veten, me personazhet dhe marrëdhëniet që duhen përkthyer në gjuhë filmike. Filmi nuk është novelë apo poezi që të shkrep një mendim dhe ti merresh me të për ta zhvilluar. Filmi është art kolektiv, dhe si i tillë secili ka detyrën e tij për të bërë dhe nxjerr më të mirën nga vetja. Për një kohë jo të shkurtër së bashku me regjisorin Pecani një profesionist brilant në kinematografi punuam dhe përpunuam dhe ripunuam këtë skenar, për të sjell këtë subjekt në formën më të mirë që mendonim dhe çuditërisht vazhdoj të përpunohej deri në ditën e fundit në xhirime”, tregon skenaristja Fejzaj. Ndërsa vlerëson punën që është bërë me filmin “Bolero në vilën e pleqve”, skenaristja Linda Fejzaj vijon më tej se subjekti solli në role aktorë të mëdhenj të kinemasë shqiptare. Në rolet e filmit përmendim aktorë si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Sipas skenaristes Linda Fejzaj, muzika e Endri Sinës dhe kostumografia e Gerta Oparakut duket se i bashkëngjiten po aq mrekullisht këtij filmi, që po shëtit nëpër festivale ndërkombëtare. Skenariste në film, Linda Fejzaj shprehet se edhe pse një vit i mbrapshtë, që duket se pezulloi deri diku botën producenti dhe regjisori Spartak Pecani e Agim Halili kanë vazhduar të punojnë, duke i dhënë filmit vlerën që ai ka. “Qëllimi i filmit nuk është thjeshtë të prodhohet, por edhe të përballet me botën brenda dhe jashtë dhe si një etalon matës na vjen kjo përzgjedhje në “Fusion International Film Festival” në Varshavë, pas përzgjedhjes dhe në “Romë Independent Prisma Awards”, si dhe në pritje të festivaleve të tjerë”, pohon Fejzaj.

Jeta dhe drama shqiptare

Në qendër të filmit është një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ardhur nga s’dinë se ku, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve, kjo do të bëjë që ajo të shko përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare. Gjatë gjithë kohës tingujt e pianos me “Bolero” e Ravelit janë bashkëshoqërues në vilë edhe në fundjetën e pleqve. Si skenariste në film, Linda Fejzaj thotë se ky projekt filmik shqiptar dëshmon edhe një herë për profesionalitetin dhe virtuozitetin e lartë të regjisorit Spartak Pecani, për të nxjerrë në ekran fshehtësitë e artit filmik me një gjuhë dhe stil tejet origjinal siç vetëm ai di të sjelli. “Bolero në vilen e pleqve” me regji të Spartak Pecanit është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Eclipse S.A” & coproduction “AM Production”. Ndërsa filmi “Bolero në vilën e pleqve” po ndjek rrugën e tij, një tjetër bashkëpunim i regjisorit Spartak Pecani dhe skenar nga Linda Fejzaj vazhdon, ku është projekti që ka fituar mundësinë e zhvillimit nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj