Arkivat publikojne letrën e Musine Kokalarit drejtuar Enver Hoxhës

0
315

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi letrën, që Musine Kokalari i dërgoi Enver Hoxhës në vitin 1962, pasi kishte bërë 15 vjet burg, por një vendim i ri po e çonte atë në internim 5-vjeçar në rrethin e Mirditës. DPA shprehet se përmes kësaj letre të shkruar nga vetë Musineja, ajo lutet që të shqyrtohet internimi i saj, pasi siç shkruan, për veprimet e dikurshme ka paguar 15 vitet burg, por për të internimi tani duket i pakuptueshëm. “Përveç kësaj, Kokalari i kërkon Hoxhës që të t’i kthehen dorëshkrimet e saj folklorike, që kishte mbledhur”, shprehet DPA, ku shton se letra ruhet në fondin e ish-Arkivit të Partisë në AQSH. Musine Kokalari (Adanë, 10 shkurt 1917 – Rrëshen, 13 gusht 1983) ka qenë një veprimtare politike e kulturore dhe shkrimtare shqiptare e shekullit të XX. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë në përgjithësi dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi veçanërisht përmes librarisë “Venus”, që i vëllai i saj Vesim Kokalari zotëronte në Tiranë në mes të viteve ’30. Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”. Përgjatë vitit 1937, një sërë artikujsh të Musinesë mbi problemet sociale u publikuan në gazetën “Shtypi” nën pseudonimin “Muza”. Më 1938, Musineja nis studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë. Më 1939, Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë profesionale letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë. Që nga fillimi i vitit 1942 Musineja përfshihet në lëvizjet antikomuniste dhe antifashiste në Romë e me të njëjtat bindje kthehet në Shqipëri. Gjithashtu, përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Musine Kokalari u arrestua më 23 Janar të vitit 1946 dhe iu nënshtrua torturave të vazhdueshme në qeli por refuzoi të hiqte dorë nga bindjet e saj për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë. Më 2 qershor 1946, Musine Kokalari u gjykua përmes një procesi gjygjësor. Duke u parë si një kërcënim për regjimin totalitar, Musine Kokalari u dënua me 25 vjet burgim (nga të cilat 16 vite i kaloi në burg) si dhe me persekutim të përjetshëm. Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here