Ndërtuesit presin sërish rritje të çmimeve të banesave

0
295

Besimi i biznesit ishte nën mesataren historike për shumicën e treguesve të aktivitetit edhe për tremujorin  tretë të vitit, por bizneset e ndërtimit janë optimiste për ecurinë e çmimeve të banesave.

Balanca e përgjigjeve për ecurinë e çmimeve shënoi 6.6 për qind rritje në tremujorin e tretë. Pritshmëritë për çmimet e banesave shënuan rritje për të tretin tremujor radhazi.

Kjo ishte pritshmëria më e lartë për rritjen e çmimeve që nga tremujori i parë i vitit 2011. Pavarësisht se popullsia e vendit po tkurret me ritme të shpejta për emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë, sektori i ndërtimit po përjeton një bum rritje. Ofertës së lartë po i përgjigjet gjithashtu edhe një kërkesë e lartë për banesa e cila po ushtron presion për rritjen e çmimeve. Kjo ecuri është konfirmuar edhe nga matje të tjera.

Banka e Shqipërisë  në një anketë në operatorët e tregut të pasurive të paluajtshme gjeti se çmimet e  banesave në rang vendi shënuan rritje me 4.9% në gjashtëmujorin e parë të vitit. Rritja e ishte e ngjashme me pritshmëritë e ndërtuesve në këtë periudhë.

Në veçanti për tregun kryesor, Tiranën, çmimet u rritën edhe më shumë se mesatarja kombëtare, me 6.5%. Çmimet mesatare në Tiranë raportohen të rritura ndjeshëm në zonat jashtë qytetit, ndërsa janë raportuar rënie të lehta në zonat qendrore dhe periferi. Zonat bregdetare raportuan çmime mesatare rreth 15% më të ulëta, ndërsa zonat e tjera shfaqën ndryshime të vogla. Edhe çmimet e qirasë për gjysmën e parë të vitit raportohen të rritura.

Rritja e sektorit të ndërtimit mbështetet edhe nga tregues të tjerë. Sipas INSTAT në tremujorin e dytë 2020, aktiviteti i pasurive të paluajtshme arriti një nivel historik të lartë, të paktën që nga fillimi i vitit 2008, kur raportohen të dhënat.

Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korente, i papërshtatur sezonalisht, për aktivitetin e pasurive të paluajtshme ishte gati 26 miliardë lekë, ose rreth 210 milionë euro, me një rritje të ndjeshme nga tremujori i parë 2020 (shih grafikun e parë). Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se ky sektor ka shënuar një rritje të fortë që nga tremujori i parë i vitit 2018.

Në tremujorin e dytë 2020, ekonomia ra me 10.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas INSTAT. Tkurrje kishin të gjithë sektorët, me përjashtim të bujqësisë që u rrit me 2.6% dhe aktivitetit të pasurive të paluajtshme, që u zgjerua me 5.5%. / Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here