Reforma në drejtësi/Një tjetër prokurore jep dorëheqjen në prag të vetingut, KLGJ nis plotësimin e Gjykatës së Lartë

0
355

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor janë mbledhur ditën e djeshme ku kanë marrë një sërë vendimesh. Në një kohë kur reforma në drejtësi, e më konkretisht organet e vetingut po ecin me ritmet e duhura, dorëheqjen e njerëzve të drejtësisë po shtohen. Në mbledhjen e djeshme, KLP miratoi dorëheqjen e R. H, e cila aktualisht ushtron detyrën e prokurores në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Sipas burimeve emri i saj është pjesë e listave të shortuara nga KPK. “Më shumicë votash, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri, Petrit Hysa dhe Lindita Male (Ziguri) dhe projekt-aktin për mbarimin e statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit znj. R.H, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës”, thuhet në njoftimin e KLP.

Emërimet e përkohshme

Po ashtu, Këshilli miratoi edhe caktimet e përkohshme të prokurorëve në rrethe. Kështu, Arta Marku u emërua si prokurore e përkohshme në Prokurorinë e Gjykatës së Apelit të Tiranës. Po ashtu edhe Arben Dyla u caktua drejtues i Prokurorisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Lushnjë, ndërsa Violeta Shkurta u caktua si drejtuese e Prokurorisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot në mesditë mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Seanca plenare është organizuar on-line në lidhje Zoom me të gjithë anëtarët e Këshillit, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, programet EURALIUS dhe OPDAT, në kushtet e distancimit social si rezultat i pandemisë COVID-19. Pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi miratimin e projekt-akteve “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje të z. Arben Dyla”, “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të znj. Violeta Shkurta” dhe “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë të znj. Arta Marku””, thuhet në njoftimin e KLP.

KLGJ nis punën për Gjykatën e Lartë

Ndërkohë që edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur punën për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë. Në mbledhjen e djeshme, KLGJ pas verifikimeve të kandidatëve vendosi që të dërgojë në Gjykatën e Lartë emrat e 4 ndihmësmagjistratëve. “Sot me datë 30.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën pas verifikimit të plotësimit të kushteve të komandimit në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë, vendosi t`i dërgojë Gjykatës së Lartë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet për t`u komanduar dhe konkretisht të znj. Engjëllushe Tahiri, znj. Lorena Çabej, znj. Iva Zemani dhe znj. Enisa Shahini. Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për trajtimin me seriozitet dhe përgjegjësi të çdo aspekti me qëllim jo vetëm funksionimin e plotë të Gjykatës së Lartë me anëtarë, por dhe me ndihmës nga radhët e magjistratëve si dhe personel të kualifikuar për të garantuar evadimin e shpejtë, me cilësi dhe profesionalizëm të çështjeve gjyqësore të akumuluara si dhe shërbimin në kohë qytetarëve, në funksion të transparencës dhe standardeve të larta”, thuhet në njoftimin e KLGJ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here