Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami/ Me shfaqjen “Mbyllja e dashurisë” në “Skampa 2020”

0
77

Aktorët e njohur Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami me shfaqjen “Mbyllja e dashurisë” erdhën në natën e parë të festivalit ndërkombëtar të teatrit kontemporan “Skampa 2020”, në edicionin e 22 në qytetin e Elbasanit. Nata e parë e festivalit ofroi një mbrëmje magjike për audiencën nën lojën e aktorëve të njohur Luzia Xhuvani dhe Vasjan Lami. Një performancë inteligjente e plot sharm skenik përcolli shfaqja “Mbyllja e dashurisë” nën regjinë e Eric Vigner, thuhet në materialin e festivalit për këtë shfaqje teatrore, që erdhi me interpretimin e dy aktorëve të njohur të teatrit në vend. “Mbyllja e dashurisë” e konceptuar në formën e dy monodramave, me një tekst të shkëlqyer nga Pascal Rambert, kjo dramë e dashurisë së shteruar ka në qendër dy personazhe që edhe në jetën reale ishin aktorë. Pikërisht aty në skenë, ata kishin vendosur të flisnin për herë të fundit për ndarjen, të flisnin për të kaluarën dhe të tashmen e tyre. Regjisori Eric Vigner i lindur në Rennes të Francës, është aktor, regjisor dhe skenograf në teatër e opera. I motivuar nga dëshira për të hulumtuar gjithmonë e më shumë në fushën e artit skenik, ai ka realizuar rreth 40 vepra teatrore dhe operistike, si brenda edhe jashtë Francës, duke u renditur ndër regjisorët e shquar të teatrit bashkëkohor. Në materialin e publikuar në faqen e festivalit “Skama 2020” thuhet se me talentin dhe suksesin e tij ka arritur të hyjë edhe në repertorin e Comedie-Française. “Ai është gjithashtu pjesë e Konservatorit Kombëtar Superior të Artit Dramatik në Paris, si profesor i arteve plastike. Vigner ka qenë për 20 vjet drejtor i CDDB-Theatre Lorient, Qendër Kombëtare e Artit Dramatik që prej vitit 1996. Kjo është vepra e tretë që ai ngjit në skenën shqiptare, pas dy bashkëpunimeve të suksesshme me Teatrin Kombëtar : “Berberi i Seviljes” në vitin 2007 dhe “Lukrecia Borxhia” në vitin 2017”, thuhet për regjisorin e njohur.

Prurje cilësore

Festivali ndërkombëtar i teatrit Bashkëkohor “Skampa 2020” zhvillohet nga data 29 shtator deri në 4 tetor në Elbasan. Në këtë edicion nuk do të mungojnë prurjet cilësore bashkëkohore me larmi stilesh e formash teatrore, nga 10 trupa pjesëmarrëse shqiptare dhe të huaja, të ardhura nga Turqia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Dita e dytë e festivalit “Skampa 2020” u hap me shfaqjen e Cirkut të Tiranës “Nga sytë e klounit”, të realizuar në mjediset e parkut të qytetit. Një shfaqje sa argëtuese, aq edhe edukuese për vetë tematikën e saj sociale. Drejtimi artistik Alketa Haxhiu, koreografia Nertil Xhani dhe skenografia Klajd Ymeri. Mbrëmja e dytë e festivalit “Skampa 2020” i takon shfaqjes “Ballkancovidizëm”, të trupës së teatrit “Oda” të ardhur nga Maqedonia e Veriut. “Ballkancovidizmi” është konceptuar si një stand-up monokomedi me skenar dhe regji nga Sabedin Selmani dhe me interpretim nga Ajshe Useini. Në netët në vijim do të jenë të tjera trupa që do të perofmrojnë para publikut në Elvasaban. I gjithë edicioni i 22-të i festivalit teatror “Skampa” është konceptuar të mbahet në mjedise të hapura atraktive të qytetit të Elbasanit, në vendndodhje të veçanta, duke filluar nga ato të trashëgimisë kulturore e deri te sheshet, padyshim me synimin për të nxitur dialogun ndërkulturor midis artistëve, spektatorëve dhe promovuesve të artit. Sipas drejtorit artistik të festivalit, Adonis Filipi, përmes ripërcaktimit të konceptit të teatrit në ambientin e hapur urban po dëshmohet aspirata e festivalit “Skampa” drejt vazhdimësisë dhe sfidës, në mënyrë që ky edicion i 22-të të shërbejë si një akt frymëzimi për njerëzit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj