Arkivi i Filmit, bobinat filmike shpëtojnë nga lagështira

0
345

Bobinat filmike shpëtojnë nga lagështira, në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në vend. Nga viti 2004 kur u bë me dije se nuk funksiononte kompresori i dytë i sistemit ftohës në AQSHF, dje u bë inaugurimi i tij. Një inaugurim që u bë në kushtet e pandemisë, ku ishin të pranishëm drejtoresha e arkivit Iris Elezi, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe ambasadori i Kinës Zhou Ding. Në inaugurimin që u bë dje për këtë sistem në arkiv, bëhet me dije se kushtet klimaterike dhe të lagështirës do të funksionojnë sipas standardeve të duhura. Me këtë sistem, në Arkivin e Filmit sipas drejtoreshës Iris Elezi bëhet e mundur të shpëtohen 44 mijë bobina filmike nga lagështira. Në institucionin që drejton dhe ku u bë inaugurimi, drejtoresha Iris Elezi tha se në arkivin shqiptar ruhet e gjithë trashëgimia filmike, por ndërsa në botë kanë një kopje të dytë, tek ne e gjithë kjo pasuri ruhet në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit. “Një nga përgjegjësitë e arkivit ka qenë krijimi i kushteve të favorshme për jetëgjatësinë e filmit. Jemi duke fol për temperaturën edhe lagështirën. Sikundër na mbështet Ministria e Kulturës, këtë vit na mbështet edhe Ambasada e Kinës dhe më në fund lagështia në AQSHF është sipas standardeve. Kompresori i dytë i sistemit ftohës, i vitit 1984 i ndërtuar nga suedezët është këtu dhe kemi kthyer 100 për qind sistemin ftohës, që nuk funksiononte”, tha Iris Elezi. Në fondin e AQSHF-së referuar faqes së institucionit, ruhen rreth 6420 tituj filma shqiptarë dhe të huaj në depo me kushte për ruajtjen e pelikulës 35 mm me temperatura, që variojnë nga 10 °C për filmat bardh e zi deri në 6 °C për filmat me ngjyra me lagështi rreth 55- 60 për qind, ku ushtrohet kontroll periodik i kushteve teknologjike {temperaturë, lagështi }. Gjithashtu, kontrolli periodik ushtrohet mbi materialin filmik edhe për ajrosjen e filmit (çdo 2-3 vjet sipas normave të FIAF). Ky proces ndihmon në mënjanimin në kohë të dëmtimeve që krijohen gjatë magazinimit (pluhuri, myku, ngjitja e anëve të filmit, njollat etj.). Procesi i ajrimit kryhet për të gjitha gjinitë e filmit Negativ, Fono, Pozitiv, D/N. D/P. Për çdo gjini filmi plotësohet kartela teknike ku shënohen të gjitha të dhënat e duhura mbi filmin si edhe lëvizjet e tij; dalje nga magazina për pastrim kimik dhe ajrosjen periodike, dalje për shfaqje brenda apo jashtë arkivit, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here