“Los Blancos”/ Policia jep detaje të operacionit: Pesë të arrestuar në Shqipëri. Operacioni në disa shtete

    0
    320

    Policia e shtetit ka dhënë detaje lidhur me operacionin “Los Blancos” të zhvilluar në Itali ku më herët u bë e ditur se në Firence u shkatërrua karteli i drogës i drejtuar nga shqiptarë.

    Policia bën të ditur se nga operacioni në Shqipëri janë arrestuar pesë persona me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian. Operacioni është shtrirë në disa shtete si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.

    NJOFTIMI I PLOTE

    Policia e Shtetit

    Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë, në bashkëpunim me homologët, i koordinuar nga Europol, Eurojust dhe Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor.

    Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali, Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta.

    Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së Interforcës në Shqipëri.

    Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:

    Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

    Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

    Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

    Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.

    Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

    Nga hetimet ka rezultuar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani të quajtur “KOMPANIA BELLO”, që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të financuara nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.

    Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.

    Edhe gjatë këtij operacioni mjaft të rëndësishëm, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm në përmbushjen e detyrave gjatë gjithë fazave të operacionit, çka tregon edhe njëherë vendosmërinë dhe seriozitetin e Policisë së Shtetit për të luftuar bashkërisht me homologët, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here