Dalin datat për testin me shkrim për Patrullën e përgjithshme

0
259

Policia e Shtetit bën të ditur se 2100 vajza dhe djem nga 12 qarqet e vendit kanë aplikuar për 350 vende vakante për Patrullë të Përgjithshme për të cilët policia bën të ditur se provimet do të zhvillohen nga data 16 deri në 18 shtator.

Sipas burimeve zyrtare, nga data 16 deri në datën 18 shtator, në Pallatin e Kongreseve, do të zhvillohet faza e parë e konkurrimit, testimi me shkrim për “Patrullë të Përgjithshme, me dy faza, paradite dhe pasdite, duke respektuar masat anticovid.

Paraditen e datës 16 shtator do të marrin pjesë në testim apikantët e Tiranës, duke filluar nga numri kodik 0001 deri në 0350, ndërsa pasdite pjesa tjetër e aplikantëve të qarkut Tiranë duke filluar nga numri kodik 0351 deri në 0458 dhe të gjithë aplikantët e qarkut Korçë.

Më datë 17 shtator paradite do marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Berat, Gjirokastër dhe Shkodër, ndërsa pasdite të gjithë aplikantët e qarqeve Fier, Lezhë e Kukës.

Më datë 18 shtator paradite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Vlorë dhe Elbasan, ndërsa pasdite do të marrin pjesë të gjithë aplikantët e qarqeve Durrës e Dibër.

Aplikantët duhet të kenë me vete fletën e regjistrimit të lëshuar nga DVP-ja ku ka aplikuar, kartën e identitetit, si dhe maskën mbrojtëse, pa të cilën nuk do të lejohen të hyjnë në testim.

Aplikantët, në momentin që futen në sallën e konkurrimit, nuk duhet të kenë me vete celular dhe u ndalohet komunikimi me njëri-tjetrin gjatë zhvillimit të testimit.

Të dyja fazat e testimit gjatë tre ditëve do monitorohen me kamera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Pyetjet e testimit me shkrim do të prodhohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore në Ministrinë e Arsimit dhe do të tërhiqen nga komisioni në orën 07:00 të mëngjesit dhe do jenë pyetje me karakter të formimit të përgjithshëm.

Testet janë në kuti të mbyllura e me vulë dhe hapen në prezencë të aplikantëve. Çelësi i përgjigjeve të testimit tërhiqet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në momentin kur përfundon testimi dhe mblidhen testet e pjesëmarrësve.

Në prezencë të një grupi me rreth 30 aplikantë të zgjedhur si përfaqësi nga vetë aplikantët, bëhet korrigjimi me skandron dhe përgjigjet afishohen menjëherë në Pallatin e Kongreseve.

Renditja e pikëve do bëhet në bazë të qarqeve dhe të kuotave që kanë DVP-të.

Çdo konkurrent, në fund të çdo faze konkurrimi, në rast se nuk është dakord me rezultatin, ka të drejtën e ankimimit brenda dy ditëve. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në Akademinë e Sigurisë, në zyrën e Burimeve Njerëzore dhe më pas kjo ankesë i përcillet Komisionit të Apelimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here