Rrëfimi i rrallë i të arratisurit: Si e njoha në Spitalin e Burgut intelektualin e përmasave evropiane, i dashuruar me vajzën e Sulltan Hamitit dhe…

0
308

Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vendit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numeri i kaluar

Të burgosurit në ankth se kush e kishte rradhën për t’u arrestuar!

Të burgosurit në ankth se kush kishte rradhën për t’u arrestuar, rrinin në krevatet e tyre dhe pak të dënuar shihje në oborrim e ajrimit. Unë sa kisha mbaruar dy javë në birucë dhe isha tepër i sëmurë. Oficerët e rojes e panë se po vdisja dhe u dhanë urdhër policëve të më lironin para kohe nga izolimi, ku unë isha dënuar me një muaj.

Kur më pa doktori i burgut, Nuri Sallaku, i erdhi keq për gjëndjen time shëndetësore dhe ai më premtoi se do t’a raportonte këtë tek doktori ushtarak, me shpresë të më çonin në spitalin burg të Tiranës. Unë e kisha të qartë se xhelatët e regjimit të diktatorit, nuk kujdeseshin për shëndetin tonë, por përkundrazi objektiva e tyre ishte që të na eleminonin të gjithëve fizikisht ne të burgosurit politik.

Pas apelit të mëngjesit Tellali i burgut Dhimo G…, lexoi emrat e pesë të burgosurve. Në këtë listë ishte emri im, Xhevat Alibali,(ish oficer në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përkthyes i librit “Kështu ka ndodhur”), Beqir Alia (ish Drejtori i Institutit të Kerkimeve të Naftës), Sotiraq Menkshi (Profesor Gjuhë-Letërsie, shok i ngushtë imi, loznim shah çdo ditë, nga qyteti i Korçës) dhe Petrit Asllani, nga fshatrat e Vlorës.

Tellalli urdhëroi të paraqiteshim në zyrën e oficerit të rojes. U tremba, mendova se ishim për arrestim. Por jo, doktori ushtarak i burgut, na thot se do na çojnë në spital për ekzaminim, në se me të vërtetë ishim të sëmurë, ose shtireshim si të tillë, për t’ju shmangur punës.

Na hipën në makinën burg, pas më se tre orë arritëm në Burgun e Spital. Që të pestë të burgosurit nga Spaçi, na mbyllën në një dhomë, ku secili kishte krevatin e tij. Brenda hyri një doktor i shoqëruar nga një infermier, i cili që mbante një bllok shënimesh në dorë. Doktori u hodhi një vështrim të burgosurve dhe ai vuri re se unë përpëlitesha nga ethet.

M’u afrua dhe rëndë – rëndë pyeti se: “çfar më dhimbte”! I thashë se: “kam të sëmura organet e frymëmarjes”. Ai i dha urdhër infermieres të më vinte termometrin. Pas një minuti, ai e shikoi dhe termometri shënonte më tepër se 40 grad. Doktori i dha urdhër policit që të më çonin në një dhomë, gjoja për një kujdes më intensive. U ndava nga shokët e mi dhe ata më uruan të gjithë “fat më të mirë”.

Polici hapi një tjetër derë të rëndë hekuri ku brenda dergjeshin tre fantazma kockë e lëkurë! Dy me serum mbi kokë, kurse tjetri vështirë të kuptoje në ish i gjallë apo i vdekur! I përshëndeta dhe që të tre më uruan: “mirseardhjen dhe të shkuara”! Pasi u prezantova se kush isha, ata bën të njëjtën gjë:

-“Më quajnë Shytan Leka”, tha burri i thyer në moshë, që nuk lëvizi nga krevati, për arsye të serumit qesk që i varej në mbajtësen mbi kokën e tij. “Jam nga Malësia e Dukagjinit’, vazhdoi plaku, ‘kam 20 e ca vjet në burg, e tani ndoshta më ka ardhur fundi bre burrë!” përfundoi plaku.

-“Mua më quajnë Hilmi Disha, jam nga Novoseja e Kukësit”, prezantoi veten i burgosuri i sëmurë që ishte në krevatin në qoshen përballë derës. Kurse i treti që rrinte i mbështetur pas kokës së krevatit, në qoshen tjetër, u prezantua duke më përshëndetur në një mënyrë që më bëri tepër përshtypje, me fjalë aq mirë të zgjedhura, duke shtrirë dorën për të bërë toka dhe dorën tjetër e vuri në gjoks, duke më thënë me një zë sa të brishtë aq edhe të urtë: “Jam Myqerem Janina”. Elegance e të shprehurit, më bëri kureshtar për këtë plak kokë thinjur e me një pamje shënjtori në fytyrë! Dukja e parë tregonte se bisedoja me një intelektual të klasit të lartë.

Ai më pa që isha i lodhur e njëkohësisht i sëmurë. Më ftoi të ulesha në krevatin bosh që ishte midis krevatit tij dhe Shytan Lekës. Infermieria më dha disa hapa, me sa kuptova ishin antibiotik “tetraciklinë, vitamin C dhe aspirinë”. Nga lodhja e sëmundjes, më zuri gjumi shpejt. Kur u zgjova, nuk e dija nëse ishte ditë apo natë. Herë pas here, dëgjoheshin rënkimet e dhimbjes të Shytan Lekës. Kurse Xha Myqeremi, lexonte i shtrirë gazetën që lejonin në burg “Zëri i Popullit”.

-“Si ndjeheni Kasem”, pyeti xha Myqeremi me një zë të butë gjithë urtësi.

-“Gjithnjë njëlloj, krymbi ka hyrë brenda dhe shpejt ose vonë do i haj kokën viktimës së tij”, i’u përgjigja përmes kollitjeve.

“Ooo, jo”, tha xha Myqeremi i habitur nga pesimizmi im.

-“Unë jam 90 vjeç, shpresoj se do të shoh ditë të mira përsëri, kurajo biri im!”

-“Të më ndjeni, nuk dua që me pyetjet e mia të ju lëndoj plagët, sa vjeç je?”, pyeti përsëri xha Myqeremi. E kuptova se ishte interesuar të dinte diçka nga jeta time.

-“Sa mbusha 28, para tre muajsh”, i’u përgjigja.

-“Kam 6 vjet që vuaj dënimin në Spaç, në se e ke dëgjuar”, vazhdova unë.

-“Po bir, po…! Kam dëgjuar”, ma ktheu aty – për aty.

-“Po zotëria tuaj, sa vjet të kanë dënuar”, pyeta unë me shpresë se do të dëgjoja gjëra interesante nga ky plak gojë-ëmbël.

-“Ta dini biri im, para një viti më dënuan me tetë vjet burg politik, duke më akuzuar për ‘agjitacion e propagandë’, por kam bërë burg edhe më parë, pas mbarimit të Luftës, u arrestova në 1946-ën, me akuza si ‘bashkëpunëtor me reaksionin e jashtëm dhe atë të brendshëm’. Miqtë më këshilluan që të mos kthehesha në Shqipëri në 1943-in nga Italia”! Biseda jonë u ndërpre kur hyri në dhomë infermieria për të ndërruar serumet e të jepte ilaçet të sëmurëve.

Kështu prita me padurim sa të largohesh ajo, për të vazhduar bisedën tonë. Pas pak minutave, ne ishim vetëm. Ky plak i mirsjellshëm, ky njeri i urtë, më kishte ngjallur respekt, më kishte bërë kureshtar! Kuptova se përpara meje rrinte një intelektual i përmasave europiane dhe me një bagazh të pasur dijesh. Doja të mësoja më tepër për jetën e tij. Ai, siç e kuptova, ishte një natyrë shumë e butë, sinqeritet i kulluar dhe nga mënyra e të rrëfyerit, ndjehej një kulturë e gjërë e formim intelektual i gjithanshëm.

Me kalimin e kohës, vërejta botën e pasur të tij shpirtërore, dashurinë për të përkryerën, kulturën që ishte mbrujtur me përvojën e jetës së tij, tërë peripeci. Për mua, tregimet e tij, ishin një leksion me vlerë të madhe historike. Qelitë e errta, ishin universitetet e mija dhe profesorët shokët e mij të vuajtjeve.

Ja se çfarë më tregoi xha Myqeremi: “Që ta dini Kasem, unë kam lindur në Stamboll në vitin 1890 dhe studjova atje për Histori dhe Letërsi, në universitetin e këtij qyteti të madh. Është kjo arsyeja që e kujtoj me nostalgji këtë të kaluar dhe përpiqem që mos ta harroj. Unë vij nga familje aristokrate shqiptare. Babai im, Azmiu, siç e tregon dhe mbiemri jonë, ishte nga Janina, prej dyer pashallarësh. Me një karrierë me qeverinë turke në pozitën e Vezirit.

Babait im, u martua me një vajzë nga dera e Vrionëve të Beratit, (Labinurin), dhe nga kjo krushqi, ai morri si prikë shumë çifliqe. Në fakt unë erdha në Shqipëri aty nga viti 1922 dhe herë pas here, shkoja jashtë vëndit për punë të ndryshme. Më 1924-ën, babai më thoshte se kishte takuar Fan Nolin, i cili e ftoi babanë për të ndihmuar në përgatitjen e Ushtrisë Shqiptare, por asgjë nuk u realizua, sepse qeveria e Fan Nolit pati jetë të shkurtër. Në Shqipëri mbeta unë me nënën e vëllai i vogël, Muhameri.

Aty nga viti 1920, kur Mustafa Qemal Ataturku kishte ardhur në fuqi, mik i babait tim, unë kisha rënë në dashuri me vajzën e Sulltan Hamitit, gjë që babai nuk e aprovoi, sepse ai ishte rrëzuar nga pushteti! Por unë, nga dashuria për të, ika dhe erdha në Shqipëri. Ajo ishte një bukuri e rrallë, me kulturë dhe shumë e zgjuar, Vetëm me një të metë, që ndoshta u bë shkak për ndarjen tone: “xhelozia”! Kjo martesë nuk zgjati shumë dhe unë u detyrova ta ktheja në Turqi, duke u ndarë nga ajo dhe që nga ajo kohë, unë nuk jam martuar më.

Në vitin 1946, më arrestuan, por edhe pse kurrë nuk i pranova akuzat, megjithatë, më dënuan me pesë vjet burg. Vëllait im, Muhameri, kishte dalë partizan, nuk di në ç’rrethana tepër misterioze, por komunistat e pushkatuan pa gjyq.

Si mbarova burgun më 1952-in, u ktheva në Berat, ku gjithë pronat dhe pasuria ishin sekuestruar nga komunistët. Kisha mbetur vetëm, njeri pa njeri, e kaloja kohën duke lexuar dhe përkthyer. Ashtu papritur në vitin 1960, më thirrën në Tiranë, ku më emëruan përkthyes të turqishtes në Institutin e Historisë.

Megjithëse në moshë të shkuar, punova afërsisht gati 18 vjet për të shqipëruar dokumentat e Perandorisë Osmane, kryesisht të viteve 1431, e pas. Krijova në Institut një shkollë më vete të Ballkanollogjisë e Turkollogjisë, për të përgatitur brezin e ri, midis tyre, student të talentuar si: Ferit Duka, Kristaq Prifti, etj”.

Xha Myqeremi, më tha se kohët e fundit po përkthente dokumenta të kohës së Rilindjes dhe intimitetet e personazheve kryesorë të asaj kohe. Ai nuk dontë të tgregonte shumë për arrestimin dhe dëshmitarët e rremë që i hoqën lirinë e kaq viteve të mbetura të jetës së tij.

-“Më dënuan tetë vjet dhe prapë rroj me shpresë. Kam një grua që më do, megjithëse është shumë e rë në moshë! Nuk na lejuan në gjëndjen civile të martoheshim. Ajo u lidh me mua dhe herë pas here vjen të më shohë dhe për këtë, i jam tepër mirënjohëse Betariçes, duke thënë fjalën e urtë: “Dashuria nuk njeh moshë”!

Nga rrëfimi i tij, morra vesh se ai kishte rrahur botën, jetuar në Turqi, Francë, Itali, Greqi, etj., një aventurë e padëgjuar! Studimet dhe shkolla e jetës i kishin dhënë figurën e një intelektuali të vërtetë, që kishte botkuptim dhe qëndrimin e tij personal për çdo çështje a problem që flitej e diskutohej.

Dije enciklopedike, njohje të letërsisë, historisë, arteve, e shije të hollë dhe mbi të gjitha: shpirt human e me humor të këndshëm. Ai ishte një poliglot që s’i magnet i fuqishëm, të bënte për vete, ashtu siç më bëri mua dhe shumë të tjerë që e njohën.

Kuptova se xha Myqeremi, nuk ishte thjesht një përkthyes i dokumentave të arkiva osmane, por një turkolog i studimeve në këtë fushë. Ai më përmëndi emrat e disa bashkëpunëtorëve dhe shokëve të tij, si: Hazis Nesini, shkrimtari dhe humoristi i njohur turk, Andrea Sahatçi, Jonuz Tafilaj, e shumë të tjerë.

Ditët kaluan aq shpejt, sa që njëherë, ashtu papritur, më erdhi në takim, motra e vogël, Bardha! Nuk e di si e morrën vesh, që unë dergjesha në Spitalin e Bugut të Tiranës. Ajo më solli pak ushqime, që tashmë ishte tepër vonë që ta përmirësonin gjëndjen time shëndetësore. Unë i ndava ushqimet me shokët e dhomës dhe xha Myqeremi, më dha 1000 falenderime për biskotat që i hëngri me aq shije.

Polici hapi derën e dhomës tonë dhe hyri brenda tërë madhështi. Ai ishte aq i shëndoshë, saqë këmisha e mbërthyer deri në kopsën e fundit dhe kravata e tij që ishte mbuluar nga gusha që i varej poshtë, i jepnin pamjen e një gjel-deti. Vuri re që shoku im aty afër, po jepte shpirt! I erdhi ndot dhe atë gjë e shprehu me xhestin që bëri, duke zënë vrimat e hundës me dorë nga era e qelbur e dhomës.

Hilmi Disha, po vdiste ngadalë ,po ashtu edhe Shytan Leka që vuante nga mëlçia e zezë, i diagnostikuar me një cerozë, ishte shumë rëndë. Xha Myqeremi, si gjithnjë do të lexonte diçka. Polici më urdhëroi të dilja në korridor. U ngrita, palosa batanijen dhe u drejtova nga Shytani, për t’i dhënë lamtumirën. Fytyra e tij pagjak, kishte marrë një shprehje mallëngjimi dhe sytë e tij ishin mbushur me lot. U mundua që të ngrihej, por unë nuk e lashë.

-“Mos’ xha Shytan, ‘s’është nevoja”!

“Ahhh, ma bëj hallall bre burrë, se boll të mërzita e ta bëra të vështirë qëndrimin në këtë dhomë nga sëmundja e rëndë që më ka mbërthyer”.

-“Mos e thuaj atë fjalë xha Shytan, ne u munduam që t’i harrojmë dhimbjet e sëmundjes duke i dhënë kurajo njëri-tjetrit”.

-“Të falemnderës, paç uratën, bëju të fala shokëve, qofsh me fat”, më uroi xha Shytani.

-“Zoti të ndihmoftë dhe ishalla të kthen shëndet”, e urova xha Shytanin, duke i shtërnguar dorën.

Unë u drejtova nga xha Myqeremi, për t’i lënë lamtumirën dhe si gjithnjë me dashamirësi e delikatesë, ai më zgjati dorën gjithë respekt duke më thënë: “Të më ndjeni, ndjehem i pikëlluar që po ndahemi. Ka qenë kënaqësi e veçantë që m’u dha mundësia që të njihem me ju Kasem. Zoti qoftë me ju…”, tha ai, ndërsa unë po i thoja fjalët e lamtumirës duke e siguruar xha Myqeremin se figura dhe personaliteti i tij do të mbetej përjetë në shpirtin tim. E përqafova atë duke e puthur në të dy faqet, këtë plak të urtë, dhe në shprehjen e tij dukej qartë keqardhjen e largimit tim. Kur po dilja nga dera ktheva kokën për ta parë për të fundit herë, ai po fshinte lotët. Polici barkmadh mbylli derën me lloz. Eca pas tij në korridorin e gjatë e të errët, në fund të tij në një dhomë me derë të hapur, doktori ushtarak firmoste urdhërin e fletë-daljes. Ai e futi në dosjen time dhe ja dha policit që do të më transferonte në burgun e Tiranës. Doktori ushtarak që unë s’ja di emrin më thotë “Unë të kam kuruar me antibiotik. Ke një bronkit kronik, dhe do të vazhdosh kurimin dhe në Spaç. Po të jap një raport me aftësi të kufizuar, domethënë i pa aftë për punë në galeri”. Kur dëgjova fjalët i pa aftë për punë sa s’fluturova nga gëzimi, dhe doja ta falenderoja këtë njeri me shpirt human, që e vlerësonte drejt gjëndjen time shëndetësore. /Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here