Kreu i shtetit Ilir Meta u shpreh se nëse ka vullnet për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe për të respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, të gjitha çështjet zgjidhen. I pyetur nga gazetarët gjatë aktivitetit për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës, presidenti tha se nuk mund të flasë për një datë zgjedhjeje pa dëgjuar të gjitha forcat politike.
“Nuk mund të themi asgjë sepse do të më duhet të dëgjojë përfaqësuesit e forcave kryesore politike e më pas do të flasim me siguri. Unë kam kërkuar takim me përfaqësues të të gjithë forcave parlamentare përfshi dhe me kryetarin e Komisionit të Integrimit Evropian dhe më pas të gjithë janë të mirëpritur”, tha Meta.
I pyetur për deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim mbi përgjegjësinë e kryetarëve të partive për kandidatët për deputetë ai tha sërish se vetëm zgjedhje të lira e të ndershme pastrojnë politikën nga elementë kriminal dhe të korruptuar.
“Vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme pastrojnë politikën nga elementë kriminal apo të korruptuar, apo të cilët për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e shtetit ligjor në mënyrë të plotë dhe europiane”, tha ai.
Kreu i shtetit Ilir Meta ka komentuar edhe çështjen e detit gjatë prononcimit për gazetarët nga Vlora. Ai tha se sjellja e tij do të jetë shtetërore dhe kushtetuese ndërkohë që kërkon të mos bëhen deklarata që mund të përdoren në dëm të Shqipërisë.
“Mendoj se sjellja ime ka qenë dhe do të jetë gjithmonë vetëm shtetërore, kushtetuese dhe tërësisht e përgjegjshme dhe i ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm në sjelljen e tyre, në mënyrë që qoftë dhe pa dashje mos të bëjnë deklarata që mund të përdoren në dëm të Shqipërisë nga kushdo”, tha ai.