Rritje e numrit të vizitorëve në muzeun “Onufri” dhe Etnografik

0
30

Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat, bën me dije se gjatë muajit gusht ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve, në muzetë e qytetit. Qendra shprehet se gushti deri tani ka pasur më shumë vizitorë se sa dy muajt më parë. “Edhe në këtë periudhë nga 1 deri në16 gusht vërejmë me kënaqësi një rritje në krahasim me muajt paraardhës, qershor e korrik, të numrit të vizitorëve, të cilët kanë përzgjedhur të vizitojnë muzeun e ikonografisë “Onufri” dhe muzeun Etnografik”, shkruan Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat. Ndërsa ka publikuar shifrat për numrin e vizitorëve në muzetë e Beratit, qendra vijon më tej se rritje të numrit të vizitorëve ka dhe biletat online. “Numri total i vizitorëve në këtë periudhë arriti në 98 për qind e të gjithë numrit të vizitorëve të muajit korrik dhe 188 për qind të muajit qershor. Një rritje prej 112 për qind vërehet në këto ditë edhe vizitorët me bileta online, në krahasim me të gjithë periudhën e muajit të kaluar. Në këtë periudhë përveç vizitorëve vendas që përbëjnë 49 për qind të gjithë vizitorëve, vizitorët e tjerë të huaj janë kryesisht polakë, bjellorusë, çekë, ukrainas e francezë”, shkruan Qendra Kombëtare e Muzeumeve. Koleksioni i muzeut “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike. Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemer Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Kurse objektet liturgjike, kryesisht, mbajnë firmën e argjendarëve shqiptarë ndër shekuj. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrit Stefan Barka nga Misrasi i Oparit dhe mjeshtër Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit në fillimin e shekullit të XIX. Muzeu Etnografik ka një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, është dëshmi e rëndësishme e kulturës, traditës interesante e të pasur të trevës së Beratit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj