Driada Dervishi: Projekti “Letra e mbrëmjes”, për të mos shkëputur komunikimin me publikun

0
248

Teatri “Aleksandër Moisu” nën ideimin dhe regjinë e Driada Dervishit këtë sezon veror erdhi me projektin “Letra e mbrëmjes”. Programi kishte në vëmendje artin antik të korrespondencës epistolare, një prej formave më të hershme të komunikimit, letrën. Për disa mbrëmje aktorë të ndryshëm apo dhe të tjerë nga publiku i teatrit erdhën për artdashësit, me një seri letrash të njohura nga personazhe të epokave të ndryshme, që i bëri bashkë dëshira për të komunikuar. Regjisorja Driada Dervishi tregon se ky program shërbeu, që të vijonte komunikimi me publikun gjatë kësaj kohe të vështirë kur aktivitetet në skena u ndërprenë për shkak të pandemisë. “Mendoj që është i pashmangshëm komunikimi dhe ne të gjithë në forma të ndryshme jemi përpjekur, që të mos ta shkëpusim këtë komunikim me publikun. I jam shumë mirënjohës për këtë komunikim të gjithë publikut, që na ka ndjekur dhe ka qenë i shumtë. Në këto kohë të vështira kam kuptuar, që publikut mjafton ti ofrosh gjëra të bëra me dashuri por dhe gjëra të veçanta dhe ai do i mirëpresë”, thotë regjisorja e njohur Driada Dervishi. Ky program ishte një përzgjedhje e disa prej letrave më të bukura që njeh historia, por edhe mjaft të veçanta, të shkruara nga personazhe të njohur si nga Faik Konica tek Abraham Lincoln, nga Frida Kahlo që i shkruan Diego Riviera, tek Maria Callas që i shkruan mikut të saj Pier Paolo Passolini apo dhe nga Erich Maria Remarque që i shkruan Marlene Dietrich. Lasgush Poradeci që i shkruan Shqipes apo dhe Edith Piaf që i shkruan dashurisë së saj më të madhe e tragjike, te Meryl Streep që u shkruan gazetarëve apo Marlon Brando që i shkruan një stjuardesës bukuroshe që sapo ka takuar në avion si dhe tek Francis Ford Copola që i shkruan Marlon Brandos, që të pranojë rolin në filmin “Kumbari” . Nga Mevlan Shanaj që i shkruan Natasha Lakos, tek Franz Kafka që i shkruan përkthyeses së tij Milena. Nga Dritëro Agolli që i shkruan Sadijes së tij të dashur, te Marylin Monroe dhe Sylvia Plath.

 Koleksion me 36 letra

Programi “Letra e mbrëmjes” shënoi para disa ditësh fundin e tij me aktorët e teatrit të Durrësit, dhe sipas regjisores Driada Dervishi ishte një koleksion prej 36 letrash, që u lexuan për artdashësit e teatrit që e ndoqën këtë program online në Facebook, Instagram dhe Youtube. ““Letra e mbrëmjes” ishte një projekt, që përmban një koleksion prej 36 letrash. Duke qenë se  audiotregimet e Çehovit një produksion i teatrit “A Moisiu” u mirëprit vendosëm, që të vazhdonim me diçka të re. Ideja e letrave më kuriozoi për vetë faktin, që te ato shikojmë që është një letërsi ndoshta jo shumë e zhvilluar në Shqipëri, por ndërkohë janë përkthyer nga mjeshtrat  e mëdhenj për ti lexuar dhe kuptuar më tej përtej personazheve që ne njohim” thotë regjisorja Dervishi. E para letër e këtij programi është një nga më të njohura të dashurisë, Letra e Tatjanës dërguar Onjeginit, marrë nga romani përfaqësues i letërsisë romantike ruse “Eugene Onjegin”shkruar në 1833 nga autori Aleksandër Pushkin. Kjo letër erdhi për publikun nga aktorja e njohur Adelina Muça. Në reagimin e saj regjisorja Dervishi thotë se nëse do të vijojë kjo gjendje për shkak të pandemisë, mund të ketë një fazë të dytë të kësaj nisme. “Në rast se situata do të vijojë dhe ne do të qëndrojmë të mbyllur ndoshta shtatori do të na presë, në një fazë të dytë të leximit të letrave”, thotë Dervishi. “Letra e mbrëmjes” erdhi si një produksion i veçantë i teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës me ide dhe regji nga Driada Dervishi, udhëheqës i projektit është Elio Bajramaj. Aktorët e trupës së teatrit në Durrës janë Adelina Muça, Besmir Bitraku, Gjegj Doçi, Suela Bako, Ervin Doko, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Jaho Guma dhe Erion Hodo. Por nismës lexo dhe ti një letër iu bashkuan edhe artistë të tjerë, që nuk janë pjesë e trupës artistike të teatrit si Aishe Stari, Anisa Markarian, Florian Vlashi, pjesëmarrëse ishte dhe shkrimtarja dhe skenaristja e njohur Natasha Lako, për të vijuar dhe me aktorët Romir Zalla, Era Çaushi, Igli Zarka. Videografia u realizua nga Uendi Çerma, teknik ndriçimi Luan Tapia dhe Muhamet Cani, teknik audio Ronaldo Harapi. Rekuizita nga Estela Rexhepi, Nexhmie Mema, ku veshjet u realizuan nga Ardi Asllani dhe Joni Peçi. Bashkëpunëtor në këtë nismë janë dhe Kliton Zguri dhe Julian Shyti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here