Protesta e artistëve para Kryeministrisë/ procedohen 12 persona si organizatorë të tubimit

0
283

Policia e Tiranës ka proceduar 12 persona pas protestës së djeshme të artistëve para Kryeministrisë. Ata akuzohen për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Artistë, punonjës e pronarë të klubeve të natës, diskove e bareve protestuan dje para kryeministrisë, pasi qeveria ndaloi me një akti normativ hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Po kështu akti normativ, ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji dhe mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Policia e Tiranës deklaron se gjatë zhvillimit të tubimit të djeshëm, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij.

“Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 12 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale ‘Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme’ dhe ‘Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’”, deklaron Policia e Tiranës.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here