“Me rrogë shteti janë bërë me vila e pallate”/ Spartak Ngjela: Shuplaka e SHBA ishte për Metën e Berishën, sinjal se dosjet për aferat e tyre janë gati

0
94

Për avokat Spartak Ngjelën, shuplaka e ambasadores amerikane Yuri Kim ishte për presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi sipas tij këta të dy kanë qenë kundër reformës në drejtësi. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Ngjela u shpreh se deklarata e SHBA është një sinjal i qartë se Uashingtoni i ka gati dosjet për aferat e tyre të korrupsionit, duke shtuar se në muajin korrik do të nisë hetimi i politikanëve ku më të korruptuarit dalin pikërisht Meta dhe Berisha. Sipas avokatit, përmes korrupsionit të lartë presidenti dhe ish-kryeministri janë bërë me vila dhe pallate mbretërore, duke theksuar se me rrogë shteti është e pamundur të disponosh një pasuri të tillë. Por pas nisjes së reformës në drejtësi në politikë, Ngjela tha se të gjithë klasës politike të korruptuar do u merret pasuria dhe paratë që kanë nëpër banka, ku shumicën sipas tij e kanë offshore. Ndërsa sa i takon ecurisë së reformës në drejtësi, Ngjela tha se të gjitha klasat politike janë bërë bashkë kundër saj, duke theksuar se mazhoranca qeverisëse ndonëse nuk e do nuk ka guxim t’i dalë kundër politikës amerikane, duke mos u bërë pengesë dhe duke mbështetur vijimin e saj.

-Avokat, ambasadorja amerikane ka lëshuar dy deklarata të forta, ku ngre dyshime se po bëhen pazare në kurriz të reformës në drejtësi. Si i shihni këto deklarata dhe kujt i referohen?

Nga gjesti i ndërhyrjes së ambasadores kuptohet që ajo ka të dhëna se reforma në drejtësi ka tendencë të sabotohet. Ajo nuk përmend emra, por fakti që Meta doli menjëherë në konferencë shtypi kuptohet që i djeg. Por cila është historia? Historia është kjo, që Meta dhe Berisha kanë qenë kundër, edhe Basha, por sidomos këta të dy të parët. Meta gjatë momenteve që rregullohej Kushtetuta në funksion të reformës, kuptohej që ishte kundër, por nuk dilte hapur. Edhe në 2 a 3 ligje të tjera. Në këto momente ai po del hapur kundër reformës. Meta nuk thotë se nuk e dua unë që të vijojë reforma, ose se nuk më kap mua reforma, ai thotë që reforma duhet hetuar dhe ia kërkon hetimin BE. Por reforma në drejtësi është bërë e gjitha nga ONM, dhe në ONM nuk ka asnjë shqiptar, as amerikan, ka vetëm ekspertë europianë të BE. Por çfarë hetimi do bëjë ky kur reformën në drejtësi po e bëjnë të huajt dhe kur ONM bashkë me komisionet përkatëse shqiptare ka kapur 60 gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar? Meta në fakt nuk është se po qan hallin e gjyqtarëve të pushuar për korrupsion, por qan hallin e vetes. Ai del në këtë kohë sepse sipas normave të vendosura dhe ecurisë së reformës antikorrupsion, deri në korrik, do të fillojnë proceset kundër politikanëve të korruptuar, te të cilët është edhe Meta. Ambasadorja amerikane, që siç duket e di këtë, doli dhe i preu rrugën Metës dhe të tjerëve si ky. Bile u tregua kaq e hapur sa vajti vetë për një gjyqtar në KPA. Pra, po kuptohet që ajo u thotë të gjithë shqiptarëve që reformën e drejtojmë ne dhe nuk e ka askush tjetër gjë në dorë veç nesh.

-Pra sipas jush Meta dhe Berisha e dinë që mund të jenë objekt i SPAK dhe janë hedhur në sulm?

Reforma tani po shkon drejt hetimit të politikanëve, sepse SPAK po e mbyll procesin. Deri tani reforma antikorrupsion kishte ngjyrimin e reformës në drejtësi, ndërsa tani merr ngjyrën tjetër, atë të korrupsionit të lartë shqiptar. Ka një muaj që media nxjerr vilat e Metës dhe të Berishës. I nxjerr që të formohet urrejtja popullore se që të gjithë e dinë që këta ishin njerëz pa asnjë pronë, madje ishin nga ata që nuk fitonin dot as nga rikthimi i pronave, sepse nuk kishin pasur pronë para komunizmit. Ishin njerëz të zakonshëm, rrogëtarë të mjerë që na u bënë me pallate mbretërorë. Ku i gjetën? Në të gjithë Perëndimin, çdo pasuri që vë një kryeministër merret me konfiskim. Kancelarja gjermane Angela Merkel jeton në 120 metra katrorë, ndërsa këta: njëri me 2 dynym tokë në Tropojë dhe tjetri me 12 dele në Skrapar, kanë pallate mbretërorë. Këto prona që po ia shfaqin për t’i parë opinioni publik bëhen me qëllim që të krijohet urrejtja popullore, dhe urrejtja popullore është krijuar. Madje ky proces do të vijojë, se kuptohet që nuk drejtohet nga shqiptarët, por nga ndërkombëtarët që kanë provat në dorë. Do bëj revolucion thotë Meta. Me kë do ta bëjë revolucionin? Ku e ka Dantonin apo Bashën e ka një të tillë lider revolucionar?

 -Pse keni bindje që korrupsioni do të luftohet te ne?

Çështja kuptohet se qëndron këtu: këta janë të mërzitur, të trembur, por reforma do të vazhdojë. Korrupsioni ka qenë shumë i madh gjatë këtyre 25 viteve dhe ka bllokuar ekonominë shqiptare. Ata kanë ndërprerë konkurrencën në treg nëpërmjet klientelës dhe kanë detyruar shqiptarët të ikin nga Shqipëria. Kjo është gjëma që i kanë sjellë këta Shqipërisë dhe tani duan të shpëtojnë, por nuk shpëtojnë dot. Do u merren të gjitha paratë që kanë nëpër banka, shumicën e kanë offshore; do u merren të gjitha pronat sepse i kanë vënë kur kanë qenë kryeministra ose zv.kryeministra a ministra. Është pamundësi absolute që një kryeministër të vërë prona duke pasur këtë post. Këta po bëjnë përpjekje për të bllokuar reformën antikorrupsion në Shqipëri dhe kjo kuptohet, por dalja e ambasadores amerikane me këtë theks, tregon që ndërkombëtarët kanë të dhëna që këta duan ta bllokojnë reformën antikorrupsion.

-Po kryeministri Rama, a është në këtë valle? A po kërkon edhe ai të bllokojë reformën antikorrupsion në Shqipëri?

Duhet të shpjegohemi: ne tani kemi hyrë në fazën e dytë të reformës, sepse nga reforma antikorrupsion në drejtësi, do të kalohet në reformën antikorrupsion në politikën e lartë të Shqipërisë. Rama nuk mund të përjashtohet se mund të bashkohet me këta kundër reformës, por nga ato që foli tregoi që nuk ishte i trembur. Këta të tjerët kanë folur me frikë. Presidenti Meta ka nxjerrë një platformë joligjore, domethënë që nuk mund të jetë e detyrueshme. Ai thotë madje: Nuk i negociojmë 9 pikat e kësaj platforme. Por me kë do t’i negociojë? Ai flet sikur është një gjeneral ushtrie që ka bërë grusht shteti. Atë në fakt nuk e pyet askush, nuk ka asnjë forcë, dhe është thjesht një copë noter, e asgjë më tepër. Forcën e ka kryeministri. Por a do i negociojë kryeministri këto 9 pika? Kryeministri i rrëzoi, se tha edhe nëse do bashkohemi për t’i biseduar, ato pika të cilat nuk kanë forcë ligjore dhe nuk detyrojnë askënd, duhet të jenë prezentë ndërkombëtarët. Domethënë kuptohet se ia hodhi poshtë të gjitha pikat Metës. Rama i thotë po mblidhemi për t’i diskutuar, por do ketë edhe ndërkombëtarë.

-Presidenti kërkon të ngrejë një këshill politik, i cili do të vendosë kush ikën e kush rri në sistemin e ri të drejtësisë. Është normale diçka e tillë?

Ne fakt, Këshilli që kërkon të ndërtojë Meta është një tavolinë për të pirë kafe e asgjë më shumë, sepse nuk ka asnjë vlerë ligjore, gjithçka do shkojë në Parlament. Ligjet kryesore të reformës në drejtësi janë marrë me 140 vota, dhe në votimin e tyre ka shkuar edhe Meta edhe Berisha, të dy të kërusur dhe e kanë votuar, edhe pse nuk e donin. Ata e votuan nga frika. Ata kanë frikë sepse politika amerikane dhe ajo perëndimore u kanë në dorë faktet e korrupsionit të tyre. Platforma e presidentit shqiptar ishte një trullosje nga frika, por në konferencën e shtypit ishte më i tërhequr, nuk ishte më ai i revolucionit, sepse në fakt ishte duke folur pas kërcënimit diplomatik të ambasadores amerikane. Sepse, unë u habita kur tha që do bëj revolucion me aktorët. Do ta zgjidhin çështjen e një teatri me revolucion? Dmth për të ndërtuar një teatër duhet bërë një revolucion në Shqipëri? Kjo është një djallëzi naive. Politika e Metës mendoi se me ta mund të bënte trazira kombëtare. Ky është naivitet politik. Asgjë nuk mund të ndodhi dhe e vetmja gjë që mund të themi është që të mërziturit dhe të tremburit në politikë duhen mëshiruar. Meta nuk ka forcë dhe nuk bën dot asnjë gjë. E gjithë klasa politike e nivelit të lartë është kundër reformës, por socialistët nuk dalin dot kundër. Socialistët e kanë provuar një herë se çdo të thotë të jesh kundër Amerikës. Mezi i përmirësuan marrëdhëniet me Uashingtonin dhe tani janë në një marrëdhënie normale. Deputetët e mazhorancës nuk janë kaq mendjelehtë sa këta opozitarë që u shkon mendja se mund të mundin politikën amerikane. Mazhoranca socialiste po vazhdon reformën normalisht edhe sot e kësaj dite dhe nuk i ka bërë asnjë pengesë reformës në drejtësi.

Intervistoi: Elisjeda Kiko

Leave a Reply