Firma maqedonase, “Adel Holding” ka reaguar zyrtarisht pas akuzave nga Partia Demokratike e Shqipërisë ndaj saj se ka fituar në shkelje të ligjit një tender me vlerë 1.5 milionë euro me Ministrinë e Mbrojtjes për blerjen e artikujve ushqimore për familjet në nevojë.
Kompania maqedonase, e cila sipas PD operon në fushën e kompjuterëve, sqaron se prej vitesh ka eksperiencë në sektorë të ndryshme të biznesit dhe një prej tyre është dhe ajo e tregtimit të ushqimeve. “Nisur nga një numër akuzash që janë hedhur këto ditë në adresë të grupit tonë të bizneseve dhe po hatër të transparencës për qytetarët e Republikës së Shqipërisë ndihemi të detyruar të bëjmë sqarimet e më poshtme: Adel Holding, përfaqëson një grup kompanish me pronarë shqiptare nga Maqedonia Veriut. Grupi ynë ka një eksperiencë shumëvjeçare në fusha e sektorë të ndryshëm të biznesit, me një portofol të konsoliduar e që falë punës, përvojës dhe profesionalizmit ka arritur të fitojë dhe të ruaj një pozitë strategjike të bizneseve në Maqedoninë e Veriut. Adel Holding numëron si pjesë të tij disa kompani të cilat zhvillojnë aktivitetin e tyre në sektorë që shkojnë nga ndërtimi e pasuritë e paluajtshme, tek energjia e rinovueshme, logjistika, reklama dhe industria ushqimore”, thuhet në sqarimin e kompanisë maqedonase.
Po ashtu, “Adel Holding” përgënjeshtron dhe vlerën e tenderit të fituar, e cila sipas saj është 830 mijë euro dhe jo 1.5 mln siç deklaron selia blu. “Nisur nga akuzat e përsëritura shpesh që kompania mjonë merret me kompjuter e nuk ka në fushën e saj të veprimit industri dhe produkte ushqimore. Kjo është e pavërtetë. Tregëtia e mallrave ushqimorë është pjesë organike e biznesit tonë prej shumë vitesh dhe lehtësisht e verifikueshme. Kushdo mund ta zbulojë këtë të vërtetë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë. Gjithashtu për të sqaruar të vërtetën deri në fund, vlera e mallrave të kontraktuar nuk është 1.5 milion euro, por thuajse gjysma, afërsisht 830 mijë euro”, tha kompania maqedonase “Adel Holding” në sqarimin e saj.









































