Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim i ka dhënë dje një goditje të fortë presidentit Ilir Meta, teksa ky i fundit sulmoi drejtpërdrejt ndërkombëtarët se po shkelin sovranitetin e shqiptarëve. Gjatë tubimit të thirrur dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Meta ngriti në podium flamurin amerikan, si për të treguar se ai ka mbështetjen e Uashingtonit.
Por ende pa mbaruar manifestimi, e para që reagoi ishte ambasadorja amerikane, e cila u distancua totalisht nga tubimi i presidentit, duke deklaruar se ka ngelur e surprizuar që flamuri i SHBA u përdor nga Meta. Gjatë një postimi në rrjetin social Twitter, Yuri Kim u shpreh e prerë se Uashingtoni nuk ka asnjë lidhje me manifestimin e Metës. “U surprizova kur pashë flamurin amerikan në “manifestimin” e mbrëmjes së sotme. Për të shmangur çdo konfuzion, dëshirojmë të sqarojmë se ndërsa SHBA mbështesin të drejtën e protestës paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me “manifestimin” e mbrëmjes së sotme”, u shpreh ambasadorja e SHBA-ve.
Por në postim e fundit të Presidentit vihet re qartë, se Meta vazhdon të ‘luaj’ sërish me flamurin amerikan, që e ka përdorur në postim përmes ikonave.
Por kjo deklaratë e Yuri Kim tregon qartë se presidenti Ilir Meta është i padëshiruar nga ndërkombëtarët, e sidomos nga politika amerikane. Kjo ishte një goditje e madhe që SHBA i dha Metës, por presidenti nuk ka dëshirë ta pranojë mesazhin.
“Falenderim dhe mirënjohje e veçantë për veprimtarin e palodhur të çështjes kombëtare, patriotin e jashtëzakonshëm shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, themelues i gazetës Illyria në New York, biznesmen e humanist i shquar, për mesazhin e tij të solidaritetit me kauzën e drejtë mbarëkombëtare dhe Uraganin Kuqezi që sapo ka filluar. Kombi ynë ndihet krenar për diasporën shqiptare, në veçanti për vëllezërit dhe motrat tanë në SHBA, që ashtu si Harry janë bashkuar me Pranverën Kuqezi dhe kurdoherë kanë qenë në ballë të mbrojtjes së Atdheut, e përpjekjeve për lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe Shqipërinë si e gjithë Europa” shkruan Meta.










































