OFL i dërgon ultimatum bosit që akuzohet për vrasjen e bujshme në ish-Bllok/ Pasuritë, akuzat, dhe ‘rrugëtimi’ i Ervis Martinajt me lojërat e fatit

0
354

Operacioni Forca e Ligjit ka zbarkuar sot në qytetin e Kurbinit ku i është dërguar formulari për deklarimin e burimit të pasurisë tre subjekteve të radhës, të cilët do të duhet të bëjnë vetëdeklarimin e të ardhurave të tyre.

Ervis Martinaj dhe dy vëllezërit Kaçorri, Arben dhe Valentino, janë tre subjektet e radhës, që janë vënë në shënjestrën e OFL-së. Ervis Martinaj, është aktualisht nën hetim për ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në 4 tetor 2018, ku mbeti i vdekur në vend Fabian Gaxha, dhe u plagos vetë bashkë me mikun e tij, Eljo Hato. Paralelisht, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim tjetër për Martinajn, për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Pasuritë, akuzat, dhe ‘rrugëtimi’ i Ervis Martinajt me lojërat e fatit

Ervis Martinaj ka qenë i njohur në fushën e lojërave të fatit ku ka pasur edhe një kasino “King Casino”, të themeluar në vititn 2011 dhe në prill të vitit 2012 e zgjeroi rrjetin edhe me kompaninë e basteve sportive “Albania Baste Live”. Në vitin 2013, një kompani e tretë lojërash fati u regjistrua në QKB në emër të nënës së 36-vjeçarit, nën emrin tregtar “Eurovis”, e cila është aktive, por jo më për bastet sportive por për shërbime të tjera.

Po ashtu, në ëmër të babait të tij, rezulton të jetë aktiv edhe një biznes me këmbimin valutor “Mati Union”.

Ndërsa kazinotë dhe kompania e basteve u mbyllën pas nisjes së operacionit të policisë “Fundi i Marrëzisë”.

Në kulmin e këtij aksioni, në tetor 2013, Martinaj u denoncua se kishte kërcënuar shefin e repartit “Shqiponja” në Tiranë, pas bllokimit të rreth 400 makinetave të lojërave të fatit në një magazinë që zotërohej prej tij.

Në mars 2017, dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda në atë kohë se Ervis Martinaj i kishte ofruar 7 milionë euro për t’u tërhequr nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Pas refuzimit të tij, Beqja deklaroi se Martinaj e kishte kërcënuar. Prokuroria deklaroi se kishte nisur hetime për të dyja rastet, por Martinaj nuk u penalizua për asnjërën.

Ervis Martinaj themeloi tre kompani të lojërave të fatit mes viteve 2011-2013, ndërkohë, është proceduar në disa raste për organizim të lotarive të palejuara, në tetor 2013 dhe tetor 2014.

Në një nga kompanitë e Ervis Martinajt, “King Casino”, e pezulluar, figuron edhe emri i një prej personave që Operacioni Forca e Ligjit i kërkoi po sot, ashtu si Martinajt, të vetëdeklarojë pasurinë. Valentino Kaçorri, i dënuar në Itali për vrasje dhe trafik armësh, në këtë kompani të Martinajt, figuronte anëtar i Këshillit të Mbikëqyrjes në “King Casino”, të mbyllur prej vitesh.  

Aktualisht në emër të Ervis Martinajt, nga një vëzhgim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, del vetëm një biznes “Tregtim dhe shërbime kompjuterike e servise”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here