Komedia “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” shkruar nga Rey Conney do të vijë në skenën teatrore me regji nga Elma Doresi. Regjisorja e njohur vjen këtë sezon artistik me një vepër, që edhe pse e shkruar në vitet ’80 sipas saj është aktuale dhe në kohën sot. Me një kast aktorësh të njohur, premiera do të jetë në muajin shkurt në teatrin e komedisë “Roland Trebicka”. Regjisorja Elma Doresi është e vlerësuar nga publiku dhe kritika për veprat, që ka sjellë në skenat teatrore. Në 2020 ajo vjen me një tjetër projekt teatror, këtë herë një vepër që mban emrin e autorit të njohur Rey Conney.
Duke folur për komedinë për të cilën po zhvillon provat, regjisorja Doresi shprehet se “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament” është një farsë histerie, e cila sillet rrotull një ministri të ri në qeveri. “Richard ka planifikuar të kalojë natën në hotel me sekretaren e opozitës, por gjërat shkojnë si mos më keq. Shkak bëhet zbulimi i një trupi në dhomën e tyre. Në këto kushte ai do të thërras në ndihmë sekretarin e tij. Nga ky moment do të fillojnë të pasojnë gënjeshtra dhe mashtrime nga ato të pa imagjinuarat. Po nëse në hotel do të vijë gruaja e ministrit dhe burri i sekretares? Mbetet për tu parë se si do të zgjidhen “hallet e popullit ” në një mbledhje të jashtëzakonshme”, tregon regjisorja Doresi për ngjarjet e veprës.
Përkthyer nga Artur Lena, në rolet e veprës kemi një kastë të njohur, si Suela Konjari, Dritan Boriçi, Klodian Hoxha, Jorida Meta, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Aldjon Matarangasi, Alban Musa, Elidon Alikaj dhe humorin dhe atmosferën e këtij grupi, Rozana Radi. Regjisorja Elma Doresi shprehet se ka një staf të mrekullueshëm artistik. “Jam e nderuar të bëj shfaqje me ta. Stafit tonë i bashkëngjitet dhe skenografi Eldo Disha, djalë me guxim dhe imagjinatë skenike”, tregon Doresi. Regjisorja Elma Doresi tregon se rikthehet pas dy vitesh në skenë, këtë herë me komedinë “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament”.
“Për këtë dua ti falënderoj të gjithë stafin për këtë mundësi, me në krye Gentën. Viti i ri, nisi me një lajm të bukur dhe festë për të gjithë qytetaret e Tiranës dhe sigurisht komunitetin artistik, siç ishte dhe hapja e teatrit të komedisë “Roland Trebicka”, nga Genta Ismaili. Duhet thënë se në Tiranë kemi mangësi dhe mungesë sallash, gjë që e vështirëson punën tonë”, pohon Doresi.
Profesionalizëm në shfaqje
Regjisorja Elma Doresi me aktorët po vazhdon punën këto ditë me komedinë “Mbledhje e jashtëzakonshme në Parlament”, që pritet premierë në ditët e muajit shkurt. Por ajo shprehet se është një vepër, që ka fituar çmime. “Vepra edhe pse komedi (farsë) e shkruar diku rreth viteve ‘80, serish mbetet dhe i flet aktualitetit. Është një vepër, e cila ka marr çmimin “Oliver”. Quhet farsë dhe shpesh në të tilla vepra personazhet apo situatat janë jo reale, por shpesh ndodh edhe e kundërta. Temat si abuzimi me detyrën, tradhtitë bashkëshortore, marrja e punës jo me meritë, mashtrime, vrasje, fshehje, të gjitha do ti kalojmë bashkë, si stinët ashtu edhe tematikat”, vijon regjisorja. Duke folur për atë që do të sjellë kjo vepër në skenë, Doresi shprehet se personazhet janë prototipet e një shoqërie të degraduar.
“Do të shohim procesin LIVE se si të vetmin personazh, idealistin, punëtorin, njeriun me principe do ta transformojë kjo shoqëri. Një njeri i vetëm nuk mund të ndryshojë sistemin, por sistemi ka aq fuqi sa të transformojë dhe të baltosë një njeri të vetëm”, pohon regjisorja. Me aktivitetin e saj në teatër Elma Doresi vazhdon të sjellë vepra të njohura, por edhe këtë herë ajo shprehet se do të përcjelli profesionalizëm te publiku. “Të thuash gjëra të mëdha dhe ti trajtosh ato duke qeshur. Unë siguroj vetëm një gjë, se ashtu siç autori solli humorin e tij dhe mesazhin e tij tek ne, edhe ne do të sigurohemi që ta përcjellim me profesionalizëm tek publiku. Komedia është fusha, që unë si regjisore i jam përkushtuar shumë në profesion dhe mendoj se e njoh mjaft mirë, por ajo që do doja është shija në fund. Nuk dua ti dhuroj vetëm të qeshura pas shfaqjes. Dua që kur ata të ikin, të dalin duke reflektuar”, shprehet regjisorja Elma Doresi. Ka qenë një dëshirë që në 2014 e regjisores Elma Doresi për ta sjellë këtë vepër në skenë, por vetëm tani u bë mundur që të vijë për publikun.