Vepra “Agimi”, opereta e parë shqiptare në skenë

    0
    414

    Opereta “Agimi” u shfaq premierë më 30 prill të vitit1955. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se “Agimi” është opereta e parë shqiptare. Kompozitor i operetës është Kristo Kono dhe libreti nga Kolë Jakova. Vepra u soll në skenë me regji nga Pandi Stillu, dirigjent mjeshtër kori Kostandin Trako dhe koreograf Panajot Kanaçi. TOB shprehet se personazhet dhe interpretët ishin Hana: Marie Kraja, Sokoli: Zihni Berati, Lula: Gjenovefa Heba, Breshku: Haxhi Tafaj, Tringa: Myrvete Theodhosi, Murr Keqi: Koço Timko, Tana: Jorgjia Misja, Shabani: Hysen Kurti dhe Osoja: Maliq Herri. Në materialin e publikuar për këtë operetë shqiptare, Teatri i Operës dhe Baletit shkruan se kjo vepër ka vlera se u vu si e para, në një skenë profesioniste. “Kjo operetë ka vlerat e saj historike si e para vepër muzikore skenike shqiptare, që u vendos në një skenë profesioniste”, shprehet TOB. Kristo Kono (Korçë, 22 janar 1907 – 22 janar 1991) është një autor i njohur me krijimtarinë e tij. Që i vogël bie në kontakt me muzikën dhe me shoqëritë kulturore të qytetit. Ishin pikërisht këto shoqëri ku Kristo Kono mori njohuritë e para muzikore dhe i përforcuan dëshirën dhe pasionin për muzikën. Fare i ri mori pjesë në bandën muzikore të qytetit, ku mësoi ti binte klarinetës. Krijimtarinë e tij muzikore e filloi qysh në vitet ‘20 me këngë e pjesë të vogla instrumentale. Në vitin 1927 Kono shkon për studime në Itali, ku studioi për drejtues orkestre. Gjatë kohës së studimeve në Itali 1927-1932, u pajis me elementet thelbësorë të kompozicionit, si edhe shkruan këngët e para, mbështetur në frymën popullore të këngës qytetare korçare. Me t’u kthyer në atdhe Kristoja, që në kontaktin e parë me publikun korçar, ku ai u paraqit si kompozitor, në një koncert të shoqërisë kulturore “Skënderbeu”, në shtator 1932, fitoi admirimin e publikut dhe shumë shpejt u bë i njohur me krijimtarinë e tij. Pushtimi fashist solli shkatërrimin e vlerave kulturore dhe shpërbërjen e shumë shoqërive kulturore korçare, për rrjedhojë edhe krijimtaria e Konos është më e pakët. Gjatë kësaj kohe vlen të përmendet kompozimi i “Rapsodisë shqiptare nr.1”, që u ekzekutua me sukses të madh në Tiranë më 28 nëntor 1942. Pas çlirimit të vendit veprimtaria krijuese artistike e Konos njohu përmasa të reja.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here