Shqipëria duhet të nxjerrë mësime nga tërmeti i 26 nëntorit. Ky është qëndrimi i sizmologëve të huaj gjatë një takimi me akademike dhe kolege shqiptare.Spiros Pavlides, profesor i gjeologjisë në universitetin e Selanikut, i bën thirrje qeverisë shqiptare të miratojë hartën e re sizmike dhe eurokodet në ndërtim.
“Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave, çdo 30 vjet në Shqipëri ndodh një tërmet i fuqishëm. Duhet të ndërmerren hapa shkencore dhe ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme”, deklaroi profesori grek.
Spiros Pavlides, profesor i gjeologjisë në universitetin e Selanikut.
“Ne në Greqi kemi kodet më të mira sepse ishin tërmetet ata që na përcaktuan kodet e reja. Sot kemi kodet greke dhe europiane, por në disa pjesë kodi grek është më i mirë. Harta sizmike dhe kodet ne i ndryshojmë çdo 5 vjet, në varësi të studimeve dhe rezultateve”- shton më tej Pavlides.
Akademia e shkencave dhe ekspertet e sizmologjisë po përgatitin hartën e re sizmike dhe propozimet për kodet e reja të ndërtimit.
Mbi 2300 tërmete janë regjistruar deri në ditët e para të 2020. Krahas rekomandimeve për mënyrën e respektimit të standardeve në ndërtim, sizmologët thonë se pas goditjes shkatërruese të 26 nëntorit, lëkundjet do të vijojnë për disa muaj deri në çlirimin e plotë të energjisë.