MPJ paralajmëron: Shtetasit e Kosovës të kenë kujdes gjatë qarkullimit në territorin e Serbisë

0
261

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka kërkuar sot nga shtetasit e Kosovës që të tregojnë kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë, pas arrestimeve të fundit të qytetarëve të Kosovës në Serbi. Lexoni të plotë komunikatën:

 “Duke rikujtuar komunikatën e 31 majit 2019, njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë. Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi. Qytetarë të dashur, dëshirojmë të kemi vëmendjen tuaj, pasi që ky njoftim vjen si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të këtij vendi, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht.  Ftojmë Serbinë, që përfundimisht të heq dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranoj faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike.Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here