Në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore janë ngritur grupe teknike për inspektime në pasuritë kulturore, si dhe në institucionet e artit, kulturës dhe muzetë nën administrimin e Ministrisë së Kulturës. IKTK shprehet se grupet janë ngritur me qëllim raportimin e situatës dhe vlerësimit të gjendjes në objektet me status monumente kulture (të gjinive dhe tipologjive të ndryshme si banesa/ fortifikime/ objekte kulti/ vepra inxhinierike, etj) në të gjithë vendin. Gjatë këtyre ditëve, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe ata të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës kryen një inspektim në teqenë e Dollmës, në kalanë e Krujës. Sipas Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, inspektimi pati si qëllim mbledhjen e fragmenteve të afreskut të teqesë, të cilat ishin shkëputur nga muret e saj. “Teqeja është monument kulture i kategorisë së parë i ndërtuar në vitin 1778 dhe është një nga monumentet më të rëndësishëm të Krujës. Si rezultat i lëkundjeve ajo pësoi edhe dëme në strukturë. Për këtë po punohet për një projekt restaurimi të ndërtesës dhe për restaurimin e mundshëm të afreskut në laboratorin e IKTK-së”, shprehet instituti. Teqja e Dollmës e cila, ndonëse e vogël, është foltore e besimit mysliman. Pranë kësaj teqeje, dallohet silueta e tambureve të hamamit të kalasë me çatinë e bukur të shekullit të 15. Gjatë rrugës drejt kalasë, gjendet pjesë e pazarit 450-vjeçar të Krujës i cili, në kulmin e tij mbante më shumë se 150 tregtarë. Tani, aty shiten objekte artizanale tradicionale dhe antike. E kështu me radhë, vendet e bukura e historike nuk mbarojnë në këtë qytet të vogël, simboli i guximit dhe vazhdueshmërisë së popullit shqiptar ndër shekuj. Prej shekujsh, kalaja e Krujës qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftërave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës, një herë e një kohë, qendra e shtetit të arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi. Përballë muzeut shihen rrënojat e një kishe të dikurshme, e cila gjatë pushtimit osman, u kthye në xhami.