Strakosha “hero” i Lacios në Arabi, mediat italiane:Është rritur shumë, i jep qetësi ekipit

0
296

Lacio ka në gjirin e saj disa lojtarë shqiptarë, por padyshim diferencën e bën portieri Thomas Strakosha, i cili po luan sezonin e tij të tretë si titullar i padiskutuar në portën e kësaj skuadre dhe është fakt që tani është rritur shumë dhe është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Lacios e njëherësh lider i saj. Padyshim, Strakosha e tregoi veten edhe mbrëmjen e të dielës në Rijad të Arabisë Saudite, në finalen e madhe të Superkupës së Italisë (e transferuar sipas një vendimi të federatës italiane në vendin e madh arab), ku fitoi përballë Kristiano Ronaldos. Kështu, Lacio mposhti për herë të dytë brenda pak ditëve Juventusin teksa bardhekaltërit triumfuan me rezultatin 3-1. Këtë herë bëhej fjalë për Superkupën e Italisë, ndërsa protagonist në skuadrën kryeqytetase ishte edhe Tomas Strakosha. Portieri shqiptar zhvilloi një ndeshje të mirë. Në vlerësimin pas ndeshjes nga Eurosport, theksohet se 24-vjeçari mund të bënte më mirë në rastin e golit të parë, megjithatë në vazhdim të sfidës i transmeton qetësi shokëve të prapavijës. “Tomas Strakosha, meriton notën 6. Nuk është krejtësisht pa faj në rastin e golit të parë, teksa topi i grushtuar nga goditja e Ronaldos kthehet te Dibala. Në pjesën e mbetur të sfidës nuk i duhet të bëjë ndërhyrje të mëdha. I transmeton qetësi dhe siguri mbrojtjes. Mjaft mirë edhe në topat në ajër”, shkruhej në vlerësimin e “Eurosport” për ndeshjen e Strakoshës.

Tare, një tjetër shqiptar pjesë e suksesit

Nuk është vetëm Strakosha pjesë e rëndësishme e suksesit të Lacios, por edhe një tjetër shqiptar, që ka madje peshë më të madhe dhe është fjala për drejtorin sportiv Igli Tare. Pas ndeshjes së luajtur në Arabi dhe triumfit lacial, Igli Tare, foli për mediet italiane për suksesin e bardhekaltërve ndaj Juventusit në Superkupën e Italisë. “E ndërtuam të gjithë bashkë, prandaj është fitorja e një grupi të madh. Shpresoj të jetë vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë. Me kalimin e kohës ndikojnë shumë gjëra, por kur je i bindur se ke bërë një punë të mirë ke besim te rezultatet. Ky trofe është shumë i rëndësishëm, është konfirmimi i një skuadre të mrekullueshme. Merita është e trajnerit Inzagi dhe e stafit të tij. Ata e dinë si t’i sistemojnë gjërat si në momentet negative dhe në ato pozitive”, tha Tare. Por Tare nuk ngurron të “thumbojë” ata që dalin në skenë vetëm kur skuadra fiton. “Është një trofe që dua t’ua dedikoj edhe atyre “kërpudhave” që dalin pas shiut. Kjo fitore është edhe për ata, që të mos të dalin vetëm kur fitojmë por edhe kur humbim, sepse skuadra ka nevojë për njerëzit e saj sidomos në këto momente”, shtoi ai.

Kumbulla sërish në merkato, këtë herë interesohet Mançester Junajtid

Mbrojtësi kuqezi, Marash Kumbulla, ka qenë autor i një sezoni të shkëlqyer deri në këto momente. Mbrojtësi shqiptar i cili aktivizohet me Veronën, falë paraqitjeve të tij ka marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha në Itali si Juventus, Inter apo edhe Napoli. 19-vjeçari, edhe pse në sezonin e parë si debutues në Serinë A ka shfaqur personalitet duke qenë një titullar i padiskutueshëm për veronezët. Sakaq, pas interesimit nga ekipet italiane, për Kumbullën ka dalë edhe zërat për një interesim të mundshëm nga gjigantët e Mançester Junajtid. Gjithçka ka lindur nga një miqësore verore e Veronës, e cila luante përballë Hofenhajm. Në atë takim kishte pasur edhe disa zyrtarë të Junajtid, të cilët ishin në stadium për të ndjekur disa futbollistë, por vëmendje ka tërhequr Kumbulla. Në këtë formë, mbrojtësi është ven nën vëzhgim dhe pas paraqitjeve të deritanishme, interesi është shtuar edhe më shumë. Mbetet të shihet nëse Junajtid do të insistojë deri në fund për mbrojtësin kuqezi. 

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here