Shtohen telashet për pushtetarët, SHBA-BE zyrë të posaçme për ngritjen e FBI-së shqiptare, 5 ekspertë në Tiranë për të nisur luftën antikorrupsion

0
355

Nis numërimi mbrapsht për pushtetarët e korruptuar. Lajmi i keq nuk është vetëm krijimi i i SPAK, por fakti që ky institucion bashkë me Byronë Kombëtare të Hetimit do të jenë në dorë të SHBA-BE. Amerikanët në shumë raste e kanë shprehur se do të ndihmojnë SPAK dhe BKH për të arrestuar të paprekshmit, por nuk është thënë shumë se si do të asistojnë ndërkombëtarët. Gazeta ka mësuar detaje nga roli që do të kenë SHBA dhe BE në këtë mes. Kjo gjë është pasqyruar në raportin që Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka dërguar në Kuvend kur u miratua ligji për SPAK. Gazeta e ka siguruar raportin në fjalë dhe aty tregohet me detaje se si do SHBA e BE do të ndihmojnë në ngritjen e Byrosë së Hetimit, e njohur si FBI shqiptare. Sipas raportit, SHBA do dërgojë në Tiranë 3 përfaqësues të saj, një do jetë agjent i FBI, një do jetë atashe dhe një tjetër do jetë përfaqësues i ICITAP. Ndërkohë edhe BE do japë asistencën e saj, pasi do të angazhojë dy prokurorë. Pra do ngrihet një komision me 5 persona që do marrin në dorë SPAK e BKH. Në nenin 56 të ligjit, thuhet se përfaqësuesit e SHBA dhe BE do qëndrojnë për 2 vjet në Tiranë dhe do merren me ngritjen e BKH, pajisjen e saj me aparatura, trajnime dhe asistencë në hetime. “Një Komisioni i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2 vjeçare duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të Hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, thuhet në ligj. Nga ana tjetër ka qenë eksperti i OPDAT, John Smibert, ai i cili gjatë diskutimit të ligjit në komision, ka thënë se përveç agjentit të FBI, do ketë një atashe dhe një përfaqësues të ICITAP, ndërsa ka shtuar se do jepen fonde të shumta.

Pajisje speciale

Në raportin e komisionit thuhet se SHBA-BE do të ndihmojnë përveç me trajnime edhe me pajisje speciale. Në ligj është parashikuar që Byroja Kombëtare të ngrihet 4 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Sipas informacioneve, brenda vitit 2020 SHBA pritet që të sjellë të gjitha pajisjet e saj të nevojshme, pasi në pranverë Byroja pritet të jetë gati. Në ligj është ngarkuar qeveria që të ngrejë godinën e re dhe më pas ajo do jetë në duart e SHBA dhe BE. Fakti tjetër interesant është se të gjithë personat që do futen aty, nga drejtori dhe agjentë do përzgjidhen nga amerikanët. Në këtë mënyrë Byroja do jetë e gjitha në dorë të tyre. Sipas informacioneve, SHBA ka hartuar një projekt konkret se si do ngrihet Byroja e Hetimit, si do bëhen trajnime, cili do jetë fokusi, etj. Në janar pritet që përfaqësuesit amerikanë dhe të BE do zbarkojnë në Tiranë dhe do udhëheqin punën për ngritjen e Byrosë dhe funksionimin e SPAK. Mësohet se si BE ashtu dhe SHBA do akordojnë fonde speciale, si dhe do të sjellin pajisje më të fundit, sidomos pajisje përgjimi. Ndërkohë pajisjet e poligrafit kanë mbërritur. Ditët e fundit të dhjetorit do të shërbejnë si ditë tranzicioni për SPAK, pasi në janar nis puna e vërtetë. Duhet theksuar se në janar pritet të vijë dhe ambasadorja e re e SHBA, Juri Kim, e cila do të sjellë një frymë të re sa i takon përpjekjeve të SHBA në luftën kundër korrupsionit. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here