Komedia “Shirli Valentina” është këtë fundjavë në qytetin e Korçës. Mbrëmja e së shtunës në teatrin “Anndon Zako Çajupi” solli në skenë këtë komedi, që deri tani ka njohur suksese, por do të vijojë dhe sonte për publikun. “Shirli Valentina” shkruar nga Willy Russell vjen në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, me interpretimin e aktores Olta Daku. “Shirli Valentina”, një komedi për gruan e zakonshme në një udhëtim të jashtëzakonshëm, përcjell për publikun humor pa fund. Pak ditë më parë aktorja Olta Daku u vlerësua me çmimin “Kult”, si aktorja ë e mirë në monokomedi. Regjisorja Driada Dervishi shprehet se pas marrjes së këtij çmimi kjo komedi vijoi në skenën e Korçës. Regjisorja tregon se kjo komedi ka tre vite, që po përcillet në skena me sukses. “Komedia “Shirli Valentina” ka tre vite, që qëndron në repertor dhe sa herë që shfaqet ka mjaft shikueshmëri”, pohon regjisorja e njohur Driada Dervishi. Por këtë fundjavë kjo komedi shënon dhe shfaqjet e fundit në skenën teatrore për këtë vit. Regjisorja Driada Dervishi pohon se me shfaqjen e datës 22 dhjetor në Korçë, bëhen 34 shfaqje të “Shirli Valentina” në skena. E pyetur se ku qëndron suksesi i kësaj komedia, regjisorja Dervishi tregon se janë interpretimi dhe mesazhet, që përcjell në skenë. “Suksesi i komedisë “Shirli Valentina”, qëndron tek loja e aktores Olta Daku, por dhe mesazhi universal që përcjell”, shprehet regjisorja Driada Dervishi. Ndërsa drejtoresha e teatrit të Korçës Zamira Kita pohon se në këtë komedi gjejmë një interpretim klas të aktores Olta Daku. “Humori pafund, energjia pozitive, interpretimi klas, të përfshijnë dhe të bëjnë personazh duke të dhuruar kënaqësi! Mos e humbisni këtë rast”, shprehet Zamira Kita për këtë komedi, që sonte në mbrëmje është në skenën e teatrit të Korçës. Vepra është përkthyer nga Artur lena, skena/kostumet janë nga Laedia Hajdari, përpunim muzikor Julian Shyti, koreograf Elton Cefa.
Komedia me Shirlin në skenë
Pas bashkëpunimeve të suksesshme në shfaqjet “Vanja, Sonja e Masha, etj” dhe “Sonte luajmë pa tekst”, aktorja e mirënjohur Olta Daku dhe regjisorja Driada Dervishi vijnë në bashkëpunimin e tyre të tretë me një komedi hit, një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell. Komedia “Shirli Valentina” e shkruar nga anglezi Willy Russell ka në qendër një grua që i duhet të përballet përditë me muret e kuzhinës. E vënë në shumë skena të botës vepra “Shirli Valentina” është edhe fituese e çmimit “Lorenc Oliver” si komedia më e mirë e vitit 1988. Përmes humorit tregohet një udhëtim i jashtëzakonshëm i një gruaje të zakonshme. Shirli Valentina, vjen nga një aktore që mishëron si humorin ashtu dhe ngrohtësinë, si vrullin ashtu dhe kurajon, si sarkazmën e po aq natyrshëm dhe autoironinë, Olta Daku, e cila përmes Shirlit fton për të besuar se nuk është asnjëherë shumë vonë për të realizuar ëndrrat. Regjisorja Driada Dervishi është shprehur më parë, se roli kryesor Shirli duket se është i shkruar për Olta Dakun si aktore. “Mënyra e të ndërtuarit të frazës të duket si një humor i përditshëm, por brenda ka dhe një lloj ironie dhe poezie them që janë virtyte, që ajo i ka si aktore” pohon regjisorja Driada Dervishi mbi bashkëpunimin, me aktoren e njohur Olta Daku. Kjo është një komedi klasike dhe moderne, nga e cila sipas regjisores Dervishi publiku do të vazhdojë të buzëqesh gjatë edhe pasi shfaqja të ketë mbaruar. Një nga veprat më të suksesshme të autorit anglez Willy Russell, e cila qëndron prej tri dekadash në repertorin e teatrove angleze dhe pasi është vënë në mbi 30 vende në mbarë botën, vjen këtë fundjavë në skenën e teatrit të Korçës./Nga Julia Vrapi