Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Calavera, i ka dhënë një goditje të fortë presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj reformës në drejtësi, ndërsa ka futur në kolaps Gjykatën Kushtetuese. Calavera ka reaguar dje në një intervistë për “TCH”, ku ka mbështetur nismën e PS për të kërkuar ndihmën e Venecias sa i takon përplasjes për anëtarët e Kushtetueses. “Në situatën ku jemi sot, me një konflikt interpretimi për metodologjinë e emërimit, është një konflikt shumë serioz dhe prandaj Bashkimi Evropian ka kërkuar që në mënyrë që të kapërcehet ngërçi, zyrave të mira të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias,t’i kërkohet të vijnë që t’i ndihmojnë palët ta kapërcejnë këtë ngërç. Unë inkurajoj që ky hap të ndërmerret sa më shpejt që të jetë e mundur. Më bëtë një pyetje shumë të mirë”, tha ajo. Më tej, shefja e ONM kërkoi nga shqiptarët që të mos lejojnë që krerët e politikës të bllokojnë ecurinë e reformës në drejtësi. Sipas saj, kjo reformë është në rrugën e duhur. “Ndonëse e dinim që nuk do të ishte një proces i thjeshtë, jam shumë e lumtur që Bashkimi Evropian mund të kontribuojë për të. Dhe po ju them edhe një herë, sigurisht jemi në një situatë kur duhet ta përsërisim vazhdimisht, t’ua kujtojmë të gjithë shqiptarëve, se nuk duhet t’i lejojnë liderët, politikanët dhe institucionet e tyre që të mos kontribuojnë për t’u siguruar që ky proces të jetë i suksesshëm. Ata e meritojnë dhe sigurisht që ne në Bashkimin Evropian do të jemi përkrah popullit shqiptar dhe unë besoj shumë se ata do t’ia dalin”, tha Calavera.
Akuzat ndaj reformës
Presidenti Meta dhe opozita kanë nisur një luftë të fortë me reformën në drejtësi. Sulmet dhe akuzat ndaj saj janë të përditshme, ndërsa mazhoranca akuzohet se e ka kapur procesin. Por shefja e ONM ka bërë me dije se vetingu dhe gjithë reforma po ecni dhe është në monitorimin e ndërkombëtarëve. “Procesi i vetingut u miratua nga Parlamenti i Shqipërisë, sepse ishte një masë e nevojshme për të rindërtuar besimin e qytetarëve te gjyqësori. Mund t’ju them se është një proces shumë gjithëpërfshirës, shumë intensiv, por edhe një proces kompleks që kërkon një investim shumë të rëndësishëm nga institucionet e vetingut. Ata po punojnë me shumë përkushtim, dhe sigurisht po punojnë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë,të cilët kam kënaqësinë t’i drejtoj si Shefe e Zyrës së ONM-së. Deri më tani, institucionet kanë arritur të rivlerësojnë 200 prokurorë dhe është e qartë se disa prej tyre kanë dhënë dorëheqjen në këtë proces ose janë tërhequr. Shumica e largimeve nga detyra kanë ndodhur për shkak të faktit se magjistratët nuk kanë mundur t’i justifikojnë pasuritë që kanë pasur në llogaritë e tyre. Por kemi ende shumë punë përpara. Janë rreth 600 dosje të tjera që duhen përpunuar. Kjo është një punë shumë e vështirë dhe sfiduese”, tha ajo.
Ngritja e SPAK
Calavera ka folur dhe për betimin e 8 prokurorëve të SPAK. Sipas saj, ngritja e SPAK është lajm i mirë sa i takon luftën ndaj të korruptuarve. “Më lejoni të përgëzoj grupin e prokurorëve që u betuan për pozicionet e reja dhe morën detyrat e tyre, si dhe më lejoni të falënderoj gjithashtu Këshillin e Lartë të Prokurorisë,sepse kanë bërë një punë tërësore për ta bërë të mundur këtë. Është e qartë që ky institucion do të jetë themelor për Shqipërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra, ky është një lajm shumë i mirë, deri tani”, tha ajo.