“Kopshti me dallëndyshe”, komedia më e mirë e të gjitha kohërave në Teatrin Kombëtar Eksperimental

    0
    385

    Komedia “Kopshti me dallëndyshe” mbrëmjen e së hënës vjen premierë në skenën teatrore për publikun. Vepra e autorit Babis Cikliropulos është premiera e këtij muaji të fundit të vitit, që sjell për publikun Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Me regji nga Kiço Londo vjen në skenë një komedi, e cila është mirëpritur nga publiku dhe në skenat e tjera jashtë, ndërsa është vlerësuar dhe për mesazhet që përcjell për shoqërinë. Premiera do të ngjitet në skenë te Teatri Kombëtar Eksperimental në “ArTurbina” në mbrëmjet e datave 23-24-25 dhjetor, ora 20:00. Vepra është përkthyer nga Vasilika Londo dhe shfaqja teatrore ka në qendër disa të sëmurë “psikik”, të cilët janë të prekur nga dashuria, xhelozia edhe intriga. Premiera teatrore vjen në skenë më aktorët e njohur Ermira Hysaj, Erand Sojli, Arjola Demiri, Suela Bako, Mehdi Malkaj dhe Naun Shundi. Skenograf Beqo Nanaj, kostumografe Borana Gjyzeli dhe as/regjisorë Kevin Rrapaj dhe Olgert Mataj. Regjisori Londo e risjell për publikun këtë vepër, por shprehet se dhe vetë ai ka raste që i kujtohet “Kopshti me dallëndyshe”. “E risjell edhe një herë veprën “Kopshti i dallëndysheve” të autorit Babis Cikliropulos. Sa herë jam në pozitë të vështirë më kujtohet “Kopshti me dallëndyshe”. Personazhe të tillë si në këtë shfaqje edhe idealist izolohen në çmendinë”, pohon Lodo. Komedia “Kopshti me Dallëndyshe” rikthehet për të dytën herë pas 21 vitesh në skenë. Në komedi me rol është dhe aktori i njohur Erand Sojli, një emër i vlerësuar për aktivitetin e tij artistik. Me rolet, që ka sjellë është mirëpritur nga publiku, ashtu si dhe të tjerë aktorë të kësaj komedie. Këtë herë për premierën “Kopshti me dallëndyshe” ai u shpreh se roli që i ka besuar regjisori Londo, dikur e ka interpretua aktori i madh Agim Qirjaqi. Ai shprehet se këtë rol e quan fat në teatër. “Roli im është ai që ka interpretuar i madhi Agim Qirjaqi. Është fat, por edhe përgjegjësi njëkohësisht”, tregon mes të tjerave aktori Erand Sojli.

    Ngjarjet në komedi

    Në komedinë “Kopshti me dallëndyshe” pesë të “sëmurë psikikë”, të izoluar në një çmendin, nën kujdesin e një psikiatre, gardiane dhe tinëzare, zbukurojnë një bredh natën e krishtlindjeve. Ata nuk kanë asnjë problem psiqik dhe aq më pak të jenë të rrezikshëm. Problemet e tyre janë shpirtërore. Edhe pse të burgosur në çmendinë ata janë të dashur të dhembshur, fisnikë dhe plot humor. Të çmendurit e vërtetë janë në “botën normale”. Në ketë botë janë djajtë, të shëmtuarit, të rrezikshmit. Në këtë botë gjenden shpirtrat e rrënuar nga masakra morale, lakmia dhe pangopësia. Dallëndyshet brenda… Grabitqarët jashtë… Edhe pse me zemër të plagosur, të tradhtuar, të depersonalizuar, të shkatërruar personazhet e çmendinës janë gjithë ëndrra dhe thonë të vërteta të mëdha me humor brilant. Në materialin e veprës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahiviogli”, shprehet se kjo shfaqje sjell ndër të tjera dhe një humor të bukur. “Vepra është e mbuluar me vellon më të bukur të humorit, që është krijuar ndonjëherë. Të qeshura dhe argëtim pafund ju pret në skenën tonë”, pohon teatri. Ndërsa është lajmëruar premiera që do të vijë mbrëmjen e së hënës, në skenën teatrore gjatë këtyre ditëve nga Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” janë prezantuar dhe të tjera shfaqje për publikun, vepra të autorëve të njohur. Por në këto ditë të muajit të fundit të vitit, në skenë do të vijë një komedi që premton argëtim dhe të qeshura për të gjithë artdashësit e teatrit.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here