Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores së Krimeve të Rënda Sonila Muhametaj, në tetor të këtij viti. Si duket, prokurorja e Krimeve të Rënda ka arritur të bindë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit mbi dyshimet për mungesë burimesh financiare për pagesën e disa kredive dhe detyrimeve në shumën totale prej 720 mijë lekësh. Po ashtu dhe për të ardhurat e vjehrrës së ndjerë, e cila nga analiza e KPK-së si “person tjetër” i lidhur rezultonte të kishte një mungesë prej rreth 480 mijë lekësh në shpenzimet për blerjen e një apartamenti 2+1 në vitin 2010. Komisioni për pasurinë apartament në Tiranë, blerë në vlerën 445 mijë lekë, tha se bashkëshortëve u mungonin në dukje burimet për të paguar kredi dhe shlyer detyrimet, shtuar kësaj, sipas KPK-së, në vitin 2016 kishte një mungesë burimesh për shumën 300 mijë lekë dhe në vitin 2015 për 145 mijë lekësh. Prokurorja në fjalën e saj tha se kishte pasur burime të mjaftueshme të ardhurash dhe për analizën financiare tha se Komisioni e nxirrte atë me diferencë pozitive në të gjitha vitet, ndërsa pretendoi një keqkuptim nga deklarimet vjetore për ILDKP. Prokurorja sqaroi se kishte deklaruar në fund të vitit të ardhurat e realizuar në atë vit dhe nuk kishte bërë mbledhje të tyre vit pas viti, duke menduar se ky proces i takonte ILDKPKI-së. Për konstatimin me personat e lidhur me të, në këtë rast vjehrra e prokurores, Muhametaj i vuri në dispozicion Komisionit një dokument nga INSIG që provonte sipas saj përfitimin e një shumë parash prej vjehrrës nga sigurimi i jetës së bashkëshortit që kishte vdekur në aksident. Muhametaj sqaroi se mungesa e dokumenteve për të ardhurat e vjehrrit, i cili ishte ndarë nga jeta kohë para se ajo të lidhej me bashkëshortin, ishte problem i Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe pavarësisht dokumenteve që dorëzoi, prokurorja tha se ajo nuk mund të përgjigjej për të ardhurat e krijuara nga familjarët e bashkëshortit para vitit të fillimit të bashkëjetesës së saj. Prokurorja u vlerësua pozitivisht në kriterin e figurës dhe aftësive profesionale. Për të janë bërë dy denoncime dhe dy gjetjet nga KLP-ja, ku pretendohej se prokurorja ka bërë shkelje procedurale, KPK i rrëzoi si të pabazuara.