Prokuroria Antimafia e Firences dhe karabinierët janë duke kryer një operacion në shkallë të gjerë, në zbatim të mandateve të firmos nga gjykata për tetë subjekte në provincat e Firences, Pistoias, Pizës e Vibo Valentias. Nëntë persona janë nën hetim, shtatë prej tyre shqiptarë e dy italianë, të cilësuar përgjegjës për transport, mbajtje e shitje të lëndëve narkotike.
Hetimet janë fryt i një tjetër operacioni të mbyllur në maj të këtij viti dhe kanë arritur të zbulojnë trafikun e kryer nga shqiptarët në provincën e Firences me përfshirjen e një subjekti të lidhur me ‘Ndrangheta-n në provincën e Vibo Valentias.
Subjekti, Valerio Navarra, i transferuar në Toskana më 2016 për t’i shpëtuar hetimit në Kalabri, jetonte në Montecatini Terme, ku kishte një piceri, por edhe kishte krijuar, me interesimin direkt të ‘Ndrangheta-s, lidhje kriminale me trafikantët shqiptarë.
Në veçanti me Robert Lazaj, ekspert i shitjes së drogës, prej vitesh banues në Firence.
Midis Navarras e Lazajt ishin monitoruar disa takime të lidhura me dërgesa të ndryshme droge. Falë hetimeve u bë i mundur sekuestrimi i 38 kileve marijuanë në 15 janar 2019; 18 kile marijuanë e 750 gramë kokainë më 4 shkurt, kur karabinierët arrestuan ndër të tjerë edhe Lulezim Shkurtajn, furnizues në sasi të konsiderueshme nga Shqipëria; 2 kile marijuanë më 17 shkurt, kur u arrestuan Robert Lazaj e Eduard Tahiraj, tjetër importues marijuane me lidhje direkt me prodhuesit në Shqipëri. Gjatë operacionit janë sekuestruar 60 kile drogë, me vlerë tregu 700 mijë euro.