Policia se merr përsipër derbin, Partizani-Tirana rrezikon përplasje tifozësh, biletat shkojnë në “stratosferë”

0
297

Të premten në orën 19:00, në stadiumin e ri kombëtar, “Air Albania”, do të luhet ndeshja më e rëndësishme e kësaj faze, derbi Partizani-Tirana, ndeshje që futet në histori si takimi i parë i kampionatit që zhvillohet në impiantin e ri të futbollit në kryeqytet. Nuk është më “Qemal Stafa”, por emocioni, ashpërsia e ultrasve dhe rivaliteti është mu si atëherë, ndoshta dhe më i madh, pasi kësaj here janë mobilizuar tifozeritë e të dy kampeve për të siguruar sa më shumë pjesëmarrje në shërbim të mbështetjes së skuadrave të zemrës. Por në prag të këtij derbi, menjëherë sapo dolën në shitje biletat, nisën edhe përplasjet e para, këtë herë për tribunat dhe pozicionin e tifozerive, ku ka paqartësi dhe njëherësh pakënaqësi. Ka një ngatërrim që duket se shërben si pretekst për të pakënaqurit. Në fakt, “fajin” e emrat e tribunave, që mbajnë emrat e ikonave të futbollit. Secila tifozeria dëshiron të ulet tek tribuna me emrat e heronjve të saj, por caktimi paraprak bën të kundërtën. Nëse ultrasit e Tiranës në ish-“Qemal Stafa” qëndronin në tribunën pas porte, në anën e qendrës “Coin”, tashmë do të jenë në krahun tjetër të stadiumit, në krahun e ish-hotel “Sheraton”. Aty ku më parë qëndronin tifozët e Partizanit, të cilët tashmë do të jenë nga ana e qendrës “Coin”. E pakuptueshme duket edhe vendosja e tifozerive, në lidhje me emrat e sektorëve të stadiumit. Kështu, në këtë derbi tifozët e Tiranës do të qëndrojnë në sektorin që quhet Vasillaq Zëri, një legjendë e Dinamos, ndërsa ultrasit e kuq do të akomodohen në sektorin që mban emrin e Fatmir Frashërit. Ish-mbrojtësi edhe pse ka luajtur me të kuqtë, sërish konsiderohet një legjendë e Tiranës. Këtë ngërç po përpiqen ta zgjidhin vetë klubet nëpërmjet marrëveshjes paraprake dhe për këtë Tirana ka dërguar kërkesë tek Partizani, që të gjejnë mirëkuptim për ndarjen e tribunave. Ndërkohë, lajmi më i keq duket se lidhet me mungesën në brendësi të impiantit të policisë. Dihet ë ka një rregull për futbollin që policia qëndron jashtë, është bërë ligj kjo, por pikërisht ky qëndrim nuk u pëlqen palëve, as FSHF-së, që nga frika e përplasjeve e duan policinë brenda impiantit. Rreziku i përplasjeve fizike dhe i dëmtimit të stolave është i madh. Mbetet të shihet qëndrimi që do të mbajnë uniformat blu për këtë rast, por në ligjin e ri thuhet që sigurinë në impiante e marrin përsipër stjuartët që paguhen nga vetë klubet. Me një kapacitet të madh dhe nën efektin e gati 20 mijë vetëve që pritet të pushtojnë “Air Albania” vështirë se mund të menaxhohen ultrasit. Sidoqoftë, nuk janë vetëm klubet, pasi edhe FSHF është pjesë e këtij organizimi dhe këtë e ka vërtetuar me një mesazh që ka shpërndarë dje për mediat, duke ftuar masivisht sportdashësit ta ndjekin këtë ndeshje.

Biletat e derbit, çmimet në stratosferë

Dje nisi shpërndarja e biletave për këtë derbi dhe fansat e sportdashësit do të kenë mundësi të sigurojnë bileta në pikat e poshtëshënuara, por del në pah se çmimet janë të kripura dhe në stratosferë, gati të ngjashme me duelet e Kombëtares. Ju njoftojmë se për këtë takim çmimet e biletave në Tribunat respektive të “Air Albania Stadium” do te jenë: Biletat në Tribunat Qendrore: Sektori: VIP GOLD Ë104 do të kushtojnë 5 000 Lek (të reja). Sektorët: Ë103, Ë105 do të kushtojnë 4 000 Lek (të reja). Sektorët: Ë101, Ë102, Ë106 do të kushtojnë 3 000 Lek (të reja). Biletat në Tribunën përballë: Sektorët: E103, E104, E105, E106, E107, E204, E205, E206, E207, E208 do të kushtojnë 1 500 Lek (të reja). Sektorët: E201, E202, E203, E101, E102, E108 do të kushtojnë 1 000 Lek (të reja). Sektorët: Nga N201 deri N207 dhe N101 deri N106 do të kushtojnë 500 Lek (të reja). Sektorët: S102, S103, S104, S203, S204, S205, V101, V102, V103,V201,V202 do të kushtojnë 500 Lek (të reja). Biletat do të mund t’i siguroni duke filluar nga dita e sotme e në vazhdim ora 10:00 deri 19:00 pranë pikës së shitjes, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Gjithashtu Biletat mund ti gjeni pranë dyqanit zyrtar të FSHF “Macron”, pranë Ambasadës Amerikane, si edhe pranë dyqanit “Joma” Sponsori Teknik i skuadrës, i pozicionuar pranë Godinës “ETC” te Rruga e Elbasanit.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here