Aktorja e njohur Eva Alikaj vjen këtë fundjavë me një komedi muzikore në skenë për publikun. “Sot në Mbrëmje: Lola Blau” shkruar nga Georg Kraisler vjen në skenë te “ArTurbina” nën tingujt e pianistit Herton Mikeli, si dhe interpretimin e aktorëve Eva Alikaj dhe Andon Koço. Teatri Kombëtar shprehet se këtë fundjavë publiku ka mundësi të argëtohet me një muzikal, në datat 14-15 dhjetor. “Interpretimi i të mrekullueshmes Eva Alikaj,të mirënjohurit Andon Koços dhe me muzikë të pianistit të talentuar Herton Mikeli, do ju argëtojë këtë fundjavë. Shfaqja “Sot në mbrëmje: Lola Blau” vjen në skenën e “ArTurbinës” me regji të Eva Alikaj. Nxitoni dhe mos mungoni të njiheni me historinë magjepsëse të Lola Blau, artistja e cila rikthehet në Vjenë, vendlindjen e saj, 21 vjet pas pushtimit nazist”, njofton Teatri Kombëtar. Me një aktivitet të vlerësuar në jetën teatrore, por dhe në kinematografinë shqiptare, aktorja Eva Alikaj është një emër i dashur për publikun. Ndër vite me vepra të ndryshme si aktore në teatër, këtë herë ajo rikthehet si regjisore, por dhe me rol në një nga komeditë që mban emrin e autorit Georg Kraisler. Vetë aktorja shprehet se kjo komedi vjen si një bashkëpunim edhe me artistë të tjerë, dhe fton publikun të jetë në sallën e madhe të “ArTurbina”. “Të dashur miq këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar vjen në skenë muzikali “Sot në Mbrëmje: Lola Blau”. Do aktrojmë, kërcejmë, këndojmë dhe argëtohemi të gjithë së bashku”, pohon aktorja e njohur Eva Alikaj. Me këtë komedi muzikore që këtë herë rikthehet në skenën, aktorja Eva Alikaj është prezantuar dhe disa vite më parë, duke u vlerësuar nga publiku.
Shfaqja dhe aktiviteti
Mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës te “ArTurbina”, aktorja Eva Alikaj ngjit në skenë një komedi muzikore, por vepra është shfaqur edhe në Austri me shumë sukses. Këtë herë Eva Alikaj vjen jo vetëm si regjisore dhe aktore, por për herë të parë edhe si këngëtare. Luan rolin e Lolës, një artisteje të re, me shumë ëndrra që u thyen në mes. Lufta e Dytë Botërore, marshimi i Hitlerit në Austri shkatërron gjithçka. Nga një artiste e re, që sapo ka marrë emërimin në Teatrin e Lincës, ajo kthehet në një vajzë hebreje fatkeqe në arrati. Një njeri pa atdhe. Arrin të sigurojë një vizë për në Amerikë, ku kthehet në një seks simbol. Por nuk e kënaq më asgjë dhe bie pre e narkotikëve. Kur rikthehet në vendin e saj, me shpresën e madhe se të gjithë do ta mbanin mend, zhgënjehet. E gjithë fama e saj mbyllet në një skenë të vogël kabareje, larg syve të adhuruesve të shumtë. Krahas pjesëve të muzikuara, ka edhe monologje e dialogje të shkurtra. Që të jetë e kuptueshme për publikun shqiptar, si regjisore Alikaj ka bërë një përmbledhje të historisë. Eva Alikaj në moshën 21- vjeçare, fitoi kupën si “Aktorja më e mirë” e festivalit të pestë të filmit artistik shqiptar, me filmin “Njeriu i mirë” (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar. Në tetarë ka marrë vlerësime ndrë vite për interrptimet që ka pasur në shfaqje të dnyrhsme teatrore, por ajo vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime. Linda tek “Shirat e vjeshtës” (1984) i dhuron Medalionin e Festivalit VI, Etleva tek “Treni niset në shtatë pa pesë” (1988) – çmimin e dytë. Role të tjerë janë Ilona në “Botë e padukshme” (1987), Ana në “Jeta në duart e tjetrit” (1990), Evgjenia në “I paharruari” (1984), Drita në “Vendimi” (1984), Irena në “Hije që mbeten pas” (1985), Edlira në “Stolat në park” (1988). Një nga rolet, që i dha një tjetër sukses ishte ai i Elsës në komedinë “Pallati 376”.
Nga Julia Vrapi