Ministri i Jashtëm italian: Mbështetje Shqipërisë në rrugën europiane. Vlerësim të dëmeve nga tërmeti për konferencën e donatorëve

0
294

Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio ka theksuar edhe njëherë mbështetjen e vendit të tij për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Në një konferencë për mediat së bashku më kryeministrin Edi Rama, Di Maio theksoi se Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të përcaktuar dhe një datë për thirrjen e konferencës së parë mbarëqeveritare.

“Për mua qe një kënaqësi e madhe që pata një bisedë të frytshme me km Rama. Arsyeja kryesore për të cilën ndodhem këtu jo vetëm për të çuar më tej miqësinë historike por edhe për të shprehur mbështetjen tonë pas situatës së tërmetit, mbështetjen dhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Pata rastin të vizitoj dhe një kamp me çadra të ngritura nga emergjencat italiane në Vorë, mora pjesë në nënshkrimin e dhurimit të materialeve nga ana e mbrojtjes civile italiane.
I theksova kryeministrit mbështetjen e palëkundur të Italisë në rrugën europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Italia këmbëngul mbi nevojën e një vendimi pozitiv për të dyja vendet dhe për të përcaktuar dhe një datë për thirrjen e konferencës së parë mbarëqeveritare. I shpreha kryeministrit edhe urimin tonë dhe dëshirën tonë që të gjithë aktorët politikë të angazhohen në vendosjen e një klime që të mos kompromentojë rrugëtimin europian të Shqipërisë duke favorizuar uljen e tensioneve dhe çeljen e kanaleve të dialogut. Italia është partneri i parë me Shqipërinë dhe vendi i parë për sipërmarrjet”, deklaroi ministri italian.

Ai kërkoi një bashkërendim më të mirë të autoriteteve përkatëse të të dyja vendeve duke rritur fluksin e informacioneve dhe shkëmbimin e përvojës.
“Ka qenë një bisedë mjaft e frytshme. I theksova kryeministrit afërsinë dhe praninë e Italisë me Shqipërinë jo vetëm për anëtarësimin por edhe sa i përket çështjes së goditjes së pësuar nga tërmeti. BE do të bëjë më shumë. Ato burime që u vunë në dispozicion përbëjnë vetëm hapin e parë. Populli shqiptar nuk do të lihet vetëm”, u shpreh Maio.

Ai theksoi më tej se Kryeministri Conte do të bëjë të mundur ndihmesën që duhet t’i jepet Shqipërisë për t’iu kthyer normalitetit. “Duhet të bindë dhe KE që t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar. Do punojmë fuqishëm dhe në konferencën e donatorëve. Do vëmë në dispozicion teknikët tanë që të bëjmë një vlerësim paraprak të dëmeve që konferenca e donatorëve të ketë një kuadër të qarrtë të situatës”, deklaroi ministri italian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here