Është pothuajse zyrtare. Derbi Partizani-Tirana do të luhet më 13 dhjetor, ora 19:00, në stadiumin e ri kombëtar të Tiranës, “Air Albania”. Kapaciteti gati 22 mijë vendesh jep mundësinë e gjetjes së një bilete për tifozët e të dyja skuadrave. Por Partizani dhe Tirana nuk shkojnë në këtë derbi të dytë sezonal ashtu siç do të donin. Të kuqtë u mposhtën 2-1 në “Adush Muça” nga Bylisi dhe tani ndiejnë më shumë se kurrë dihatjen e Kukësit. Ishin pikërisht verilindorët, nënkampionët e sezonit të kaluar, që i shkaktuan një traumë të vërtetë Tiranës para derbit. Partizani nuk do të ketë në përbërje për sfidën me bardheblutë Bruno Telushin, i ndëshkuar më karton të kuq ndaj Bylisit, por as bardheblutë nuk janë më mirë, pasi Ahmataj (nëse vijon të jetë trajner, pasi dje nuk figuronte gjëkundi) nuk do të ketë në dispozicion as Cale e as Dungën, po për arsye pezullimi, pasi kanë plotësuan numrin e kartonëve të verdhë për të munguan në takimin e radhës. Në dyshim janë Tefik Osmani, Edon Hasani dhe Kobinah, që u detyruan të lënë para kohe ndeshjen për shkak të probleme fizike. Përtej mungesave dhe problemeve që kanë ekipet respektive, derbi mbetet derbi, mund të shërbejë për të shëruar plagët e për t’u katapultuar, por mund të shkaktojë një tërmet të fuqishëm, “magnituda” e të cilit mund të rrëzojë “stola”.
Partizani stërvitet në Pezë, Tirana në ujëra të “turbullta”
Skuadra e Partizanit po vijon përgatitjet për takimin ndaj Tiranës, në derbin e kryeqytetit, i vlefshëm për javën e 15-të të Kategorisë Superiore. Nën drejtimin e trajnerit Lerda dhe stafit teknik grupi i lojtarëve ka kryer seancën e sotme në kompleksin sportiv “Internacional Tirana” në Pezë, në orën 10:30. Gjendja e skuadrës paraqitet optimale dhe të gjithë lojtarët kanë zhvilluar të plotë programin e përcaktuar stërvitor. Për përballjen ndaj Tiranës trajneri Lerda nuk do të ketë në dispozicion Bruno Telushin dhe Rron Brojën si pasojë e skualifikimeve me kartonë. Përgatitjet do të vijojnë të martën me seancën e radhës në program po në orën 10:30.
Trajneri/ Ahmataj largohet nga Tirana
Julian Ahmataj mund të konsiderohet edhe zyrtarisht i larguar nga Tirana. Edhe pse lajmi ende nuk është zyrtar, është fakt që 40-vjeçi nuk është më në detyrën që mori pak kohë më parë. Ahmataj nuk ka qenë i pranishëm në seancën stërvitore të kësaj të hëne, madje as ndihmësi i tij, Akil Jakupi. Përgatitjet janë drejtuar nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, dhe ndihmësi atletik, Kosta Jani. Tashmë pritet që vetë klubi i Tiranës të sqarojë situatën në këtrë moment delikat vetëm pak ditë para derbit të kryeqytetit me Partizanin, që pritet të zhvillohet në “Air Albania”. Kandidatë për të pasuar Julian Ahmatajn në krye të Tiranës janë Gugash Magani dhe Bledar Devolli, me këtë të fundit që konsiderohej alternativë edhe në momentin e emërimit të Ahmatajt. Në fakt, Tirana nuk do të humbë shumë kohë për të emëruar trajnerin e ri duke qenë se të premten do të luhet derbi kundër Partizanit. Sipas medieve online pranë klubit, vendin e Ahmatajt, me shumë gjasa do ta zërë trajneri Bledar Devolli i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Kastriotit dhe provoi deri në fund të mbante krutanët në Superiore por pa arritur të fitonte duelin pikërisht kundër Tiranës. Devolli është aktualisht trajner i Tiranës U-19.
Birçe: Partizani favorit, por diferencat janë të vogla
Në një intervistë për “Rtsh Sport”, tekniku i njohur Bejkush Birçe thotë se Partizani është një ekip që lëviz mirë, por ka sulmin e keq. Sipas tij, Tirana e ka ekipin, por është ekip me faza, njëherë luan mirë e njëherë keq. Ai beson se diferencat midis dy skuadrave janë të vogla. “Ka lojtarë të mirë, pastaj për mua Partizani dhe Tirana nuk kanë diferenca të mëdha. Partizani është i favorizuar sepse Tirana është e përfshirë nga këto momente jo të mira ku flitet për lëvizje trajnerësh, apo krizën rezultateve, prandaj edhe duhet që Partizani të jap më të mirën dhe ta shfrytëzoj këtë moment të keq të Tiranës”, theksoi Birçe.
Adriatik BALLA