Inxhinieri Arben Meçe i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama, të shkojë patjetër në Shijak për të parë situatën, pasi sipas tij, duket një qytet i qetë, por që është i shkatërruar nga tërmeti.
“Së fundi, kam gjithë jetën që punoj në Shijak. Duhet të vini, sepse është nga qytetet më të qeta, por më të shkatërruara. Aty do të shihni lagje të tëra, që janë shkatërruar”, tha inxhinieri.
Më tej, inxhinieri i kërkoi kryeministrit Rama që të organizojë menjëherë grupet e punës, t’i ulë në tavolinë dhe të vendosin çfarë do të bëjnë me objektet e larta në Durrës, që sipas tij, kanë defekt në projekt, i cili mund të shpërthejë edhe pas riparimit. Më tej, duke falënderuar fondacionet që janë gati për të nisur rindërtimin, si ai i Elvis Naçi dhe Arbër Hajdarit, Meçe theksoi se qeveria duhet t’i monitorojë, qoftë për planimetrinë e ndërtimit, qoftë edhe financiarisht.
“Po nxjerrin shumë objekte të prishura. Duhet të fusni medoemos rishikimin e tyre, por ka shumë prej tyre që janë me dyshim. Nëse kemi inspektuar 200-300 objekte dhe kemi nxjerrë 30, do të shkojmë te këto 30. Ka dhe shumë reagime sa i përket punës së grupeve, mirë është që ato të mos lënë asnjë gjurmë dyshimi te njerëzit.
Ne jemi futur në procesin e restaurimit tashmë. Sfida jonë është lufta me kohën dhe zgjidhjet që japin dy kolona të shëndetshme sot për mua, që janë të gatshme të nisin që sot punën, që nesër të fillojnë punën me një kusht: përgjegjësia e situatës në këtë vend është e qeverisë. Këta do të marrin përgjegjësinë e qeverisë në kurriz të tyre, që do të thotë që qeveria duhet të jetë aty për monitorim. Monitorimi i parë është ai planimetrik, që do të thotë se këta nuk do të dalin jashtë planimetrisë. Duhet të ketë edhe një monitorim përfundimtar financiar.
E treta, Durrësi ka shumë objekte të larta, që dëmi duket shumë i madh. Ka një arsye të vetme, është teknike, është defekt i projektit, që do të thotë edhe pas riparimit ky defekt do të shpërthejë. Ne nuk jemi më të mirët, z.kryeministër grupet duhet t’i organizosh ti. T’i ulësh në tavolinë dhe të vendosni urgjent çfarë do të bëhet me këto objekte. Forcën që ka betoni, nuk e përballon çfarëdolloj muri t’i vendosësh, sepse elasticiteti është aq i madh, sa dëmton ndoshta edhe betonin. Pa bërë këtë procedurë, në mënyrë absolute të mos kalohet te fazat e tjera”, deklaroi inxhinieri Meçe