Institucionet Shtetërore janë prekur po ashtu nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Dëmtime tëshumta janë konstatuar në institucionet që janë në varësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Sakaq Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka deklaruar se godina e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave ka pasur dëmtime të mëdha strukturore. Sipas akt konstatimit të inspektorëve të Institutit të Ndërtimit, kjo godinë ka dalë jashtë funksionit. MFK, ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat për mirëfunksionimin e punës, ku është kryer transferimi i serverëve pranë zyrave të AKSHI, si dhe është kryer transferimi i sektorëve kyç (VQ dhe SKAO) pranë zyrave të disponueshme në gjendje pune. Godina e Agjencisë se Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka vetëm plasaritje murature dhe rënie suvaje, jo të rrezikshme për vazhdimin e punës dhe jetën e punonjësve. “Në Degën e Thesarit Laç –Janë krijuar disa plasaritje në sipërfaqet e murit, të tavanit si dhe lëvizje të pllakave të dyshemesë. Në Degën e Thesarit Tiranë, në korridorin e katit e dytë të ndërtesës ka çarje të trarit të tavanit dhe kolonës të murit banesor- dëmtime strukturore. Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, në lidhje me verifikimet e bëra gjendja në katin e parë është më e rëndë, pasi ka çarje muresh dhe të kolonës, ndërsa në katin e mësipërm janë konstatuar vetëm çarje muresh. Shtypshkronja e letrave me vlerë, ka pasur dëmtime të ndryshme plasaritje dhe çarje murature. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, janë konstatuar dëmtime në objekt, janë në pozicionet e fugave strukturore (zonat e bashkimit të objektit), të cilat nuk sjellin humbje të qëndrueshmërisë të objektit, por cenojnë funksionimin normal të ecurisë së punës në këtë institucion”, thuhet në njoftimin e MFK. Qindra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka pasur dëmtime të ndryshme murature, por vihen re dhe çarje horizontale sipas forcës prerëse të cilat po evidentohen qartë dhe riparohen. Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit ka plasaritje në kolonë, të cilat po vlerësohen dhe riparohen.