Vijojnë lëkundjet e tërmetit, qindra banesa e pallate në Durrës, Krujë, Tiranë e Lezhë dalin jashtë përdorimit, ja të dhënat e para të dëmeve

0
402

Lëkundjet e tërmetit kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme, ku paniku dhe rreziku tek shumë banorë të Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Lezhës është shtuar ndjeshëm. Tërmeti i orës 13.00 në drekë ditën e djeshme, ka “ndihmuar” në përkeqësimin e mëtejshëm të situatës. Shumë pallate dhe shtëpi janë bërë të pabanueshme për shkak të lëkundjeve të shpeshta, ku shumë banorë janë transportuar drejt Kosovës. Nga bilanci i kryer, me qindra banesa dhe pallate kanë dalë jashtë përdorimit jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë, Krujë dhe Lezhë. Në qytetin e Shijakut janë klasifikuar si të pabanueshme 18 pallate dhe shumë banesa private, ku në total jetojnë 100 familje. Në Shijak qytetarët refuzojnë të largohen nga shtëpitë për t’u strehuar diku tjetër ndërsa vëmendja e strukturave të shtetit duhet të jetë maksimale, që të parandalohet ndonjë pasojë e rëndë e mundshme sepse shumica e pallateve në lagjen “Lugina”, vështirë se mund të përballojnë goditje të tjera. Ndërkohë në Kamëz janë dëmtuar mbi 250 banesa, nga të cilat 50 klasifikohen si të pabanueshme dhe me rrezikshmëri për t’u shembur nga momenti në moment. Lëkundjet e tërmetit kanë prekur edhe Kavajën, ku si pasojë janë plagosur 12 persona, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Redjan Krali tha në një reagim për mediat se në total janë 20 banesa që janë shembur, ndërsa 6 pallate janë dëmtuar. 24 pallate janë shpallur të pabanueshme në Durrës. Ato janë rrethuar me shirit për të penguar banorët që të futen brenda. 3080 persona janë regjistruar si të pastrehë deri në mesditën e sotme. Ndërsa në Sukth 102 familje janë regjistruar si të pastrehë.

Ja bilanci në qarkun e Lezhës

Po ashtu, një bilanc i situatës është bërë edhe në qarkun e Lezhës pas tërmetit. Në Bashkinë Kurbin janë verifikuar 28 pallate, që përbëhen nga 560 apartamente me rreth 2200 banorë, si dhe 75 banesa me rreth 300 banorë. Banesat e verifikuara janë të dëmtuara rëndë dhe sipas mendimit të specialistëve janë të pabanueshme ose paraqesin rrezikshmëri për banim. Në Kurbin, janë hapur 6 qendra akomodimi me rreth 35 çadra dhe janë akomoduar rreth 500 qytetarë, të cilët janë trajtuar me shërbimet e nevojshme. Sipas kërkesës të bashkisë janë vlerësuar për t’u evakuuar rreth 250 familje në ambiente hoteleri etj. Rreth 100 familje të vlerësuara për evakuim, ku janë stabilizuar tek të afërmit e tyre. Në Bashkinë Mirditë u verifikuan 13 pallate që përbëhen nga 250 apartamente me rreth 1000 banorë si dhe 50 banesa me rreth 200 banorë. Nga verifikimi i banesave në pallate, rezulton se janë të dëmtimeve të lehta dhe të mesme, kurse në banesa janë të mesme dhe të rënda. Në Mirditë, janë akomoduar rreth 100 banorë duke ju ofruar shërbimet e nevojshme. Ndërsa në Bashkinë Lezhë janë verifikuar 15 pallate me 300 apartamente, me rreth 1200 banorë si dhe 130 banesa me rreth 600 banorë. Dje është bërë thirrje për dërgimin e specialistëve në fushën e ndërtimit, me qëllim, përcaktimin e shkallës së dëmtimeve në konstruktet e pallateve, vlerësimin e tyre për banim. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në fshatin Bubq në Fushë-Krujë, ku janë rreth 234 shtëpi me dëmtime, të cilat sipas banorëve janë të pabanueshme. Ata kanë dalë jashtë dhe po flenë në makina, pasi thonë se askush nuk ka shkuar atje. Disa prej tyre bënë thirrje që t’iu dërgohen çadra për të mos vazhduar të qëndrojnë në makina.

Dëme në Tiranë

Dëme të konsiderueshme janë shënuar edhe në kryeqytet. 202 pallate dhe 606 shtëpi private në Tiranë dhe në fshatrat kanë pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmetit. Pallatet kanë pësuar dëme kryesisht të riparueshme, ndërsa një pjesë e madhe e banesave private janë të pabanueshme. Po ashtu, edhe një pallat 6 katësh në zonën e freskut në Tiranë ka pësuar një çarje të madhe nga tarraca deri në fund. Kjo çarje ka shkaktuar panik tek banorët. Pallati është i ndërtuar para 5 vitesh dhe është në formë U-je, por pavarësisht se mund të quhet një godinë e re, nuk i ka rezistuar lëkundjes së fortë të tërmetit të rënë më 26 nëntor. Në këtë pallat jetojnë afërsisht 120 familje. Ndërkohë lëkundjet e djeshme krijuan panik sërish tek banorët të cilët kanë dalë jashtë godinës. Magnituda e lëkundjes së fundit ishte 5.2 rihter.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here