Foto+Video/ Shqipëria në panik nga tërmeti 6.4 ballë, rritet bilanci, shkon në 12 numri i viktimave, mes tyre 2 fëmijë

0
343

Një tërmet i fuqishëm 6.3 ballë ka goditur vendin, ndërsa zyrtarisht 12 persona kanë humbur jetën, mes tyre 2 fëmijë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton se ka dyshime që disa pallate të vjetër janë shembur në Durrës, ndërtesa të vjetra. Dëme të mëdha janë shkaktuar dhe në Thumanë, ku një grua raportohet se ka ndërruar jetë. Po ashtu banesa dhe pallate të dëmtuara ka edhe në kryeqytet, ndërsa shumë persona kanë mbetur të plagosur, në tentativë për të shpëtuar.

MINUTË PAS MINUTE
KRYEFAMILJARI NXIRRET I GJALLË NGA RRËNOJAT E PALLATIT NË THUMANË, NUK MBIJETON GRUAJA
Ora: 11:15- 
Një lajm i mirë vjen nga Thumana, fshati që u godit rëndë nga tërmeti 6.3 ballë. Gazetari Erjon Skëndaj raporton live për ‘News24’ nga vendi i ngjarjes se një 50-vjeçar është nxjerrë i gjallë nga rrënojat. Mësohet se fatin e tij të mirë se ka pasur gruaja, e cila thuhet se ka ndërruar jetë dhe aktualisht ndodhet nën rrënoja.

GAZETARJA RRËFEN MES LOTËSH NË TRANSMETIM DIREKT: VININ ZËRA PËR NDIHMË NGA SHTËPIA E SHEMBUR
Ora: 10:58-
 Detaje tragjike dalin në dritë nga vila 4 katëshe ku ishin ‘të ngujuar’ 7 anëtarë të një familje. Ndonëse nga vila e shkatërruar vinin thirrje për ndihmë nga një djalë, ajo u rrëzua totalisht. Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje direkte nga banesa në zonën e Kënetës, bëri publike një dëshmi rrëqethëse që vinte nga vila e tmerrit.

Gjatë një bashkëbisedimi me një të afërm të familjes me origjinë nga Dibra, djali 17-vjeçar kishte kërkuar ujë. Pasi i kishin dhënë ujë, forcat e ndërhyrjes në terren kishin tentuar t’i ofroheshin për ndihmë djalit, por fatkeqësisht banesa u shemb totalisht.

MINISTRIA E MBROJTJES JEP BILANCIN: JA SA PERSONA KANË HUMBUR JETËN
Ora: 10:30-
 Kur kanë kaluar disa orë nga tërmeti i fuqishëm 6.3 ballë, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc paraprak për ngjarjen në fjalë. Në një deklaratë për mediat Ministrja Olta Xhaçka tha se zyrtarisht janë konfirmuar 8 persona që kanë humbur jetën, ndërkohë burime nga terreni flasin për 10 të vdekur.

Po ashtu mësohet se 135 persona rezultojnë të lënduar dhe 12 shtrime të konfirmuara në spitalin e Durrësit, ndërkohë 60 të shtruar në QSUT, por rastet janë duke u shtuar.

SHEMBET VILA 3-KATËSHE NË DURRËS, MISTER FATI I 7 ANËTARËVE TË NJË FAMILJE
Ora:09:34-Ankth e tensione për një familje në lagjen nr.18 në Durrës. 7 anëtarë të një familje në këtë lagje, që banonin në një vilë 3 katëshe deri më tani rezultojnë të zhdukur, ndërkohë që vetëm anëtari i 8 ka mundur të dalë nga rrënojat.

Nga informacionet që përcjellë gazetarja Klodiana Lala bëhet e ditur se banesa është shkatërruar thuajse totalisht dhe kjo e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave të emergjencave.

Ora: 09:18-SHPËTOHET NJË PERSON NË THUMANË, MOMENTI KUR NXIRRET NGA RRËNOJAT
Nxirret një person i gjallë nga rrënojat e një pallati të shembur në Thumanë. Momente gëzimi pas panikut dhe lëkundjeve të vazhdueshme të tërmetit. Bëhet fjalë për një burrë rreth të 40-ve. Pasi është nxjerrë nga forcat e shpëtimit dhe banorët të pranishmit kanë shpërthyer në duartrokitje.

22 PERSONA NXIRREN NGA RRËNOJAT NË DURRËS
Ora: 08:57-Tërmeti 6.3 ballë që shkundi sot Shqipërinë, ku epiqendra ishte 16 km nga Shijaku, ka shkaktuar dëme të mëdha në Thumanë dhe në Durrës, ku deri tani 7 persona konfirmohen se kanë ndërruar jetë. Demë të mëdha janë shënuar edhe në Tiranë, ndërkohë që dhjetra persona kanë mbetur të plagosur.

Burime nga policia bënë me dije nga ndërhyrja e forcave të emergjencave në terren, janë shpëtuar rreth 22 shtetas, të cilët kishin ngelur nën rrënoja. Ata u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Sakaq, rreth 1,900 forca policie janë të angazhuara në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Deri në këto momente u është dhënë ndihmë mbi 260 qytetarëve. Ministria e Mbrojtjes iu bën thirrje qytetarëve që për çdo ndihmë të telefonojnë në numrin falas 112!

NË PAK ORË 21 TËRMETE GODASIN SHQIPËRINË
08:35-Vijon paniku në të gjithë Shqipërinë. Tërmeti i orës 3:55 ka nxjerrë në rrugë njerëzit, që i druhen lëkundjeve të tjera.

Ashtu si bëhet me dije që pas tërmetit me magnitudë 6.3 ballë vendi ynë është goditur edhe nga 21 tërmete të tjera.

Intensiteti i goditjeve ka qenë në zbritje, ku më i forti ishte ai i një ore më parë me magnitudë 5.4 ballë.
THELLOHET BILANCI I VIKTIMAVE, ZYRTARISHT 7 TË VDEKUR
Ora: 08:23- Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi vendin. Ministrja e Mbrojtjes konfirmon se7 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dyshohet se ka ende persona ende nën rrënoja.

Tragjik rezulton edhe fakti për një vogëlushe 10-vjeçare, e cila ka humbur jetën në banesën e saj në Thumanë, ndërkohë që nëna e saj ndodhet nën rrënoja e plagosur.

Ministria konfirmon se 1 viktimë është në Kurbin, 2 ne Thumanë e 3 në Durres.

KONFIRMOHEN ZYRTARISHT 4 VIKTIMA
Ora: 07:52 -Është konfirmuar zyrtarisht edhe viktima e 4. Ministria e Brendshme bën me dije se personi i 4 që humbi jetën nën rrënoja është në Durrës.

“FATKEQËSISHT KEMI JETË TË HUMBURA”, RAMA REAGON PAS TËRMETIT: MOMENT DRAMATIK
Ora: 07:27
– Një moment dramatik e ka konsideruar kryeministri Edi Rama, situatën pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin orët e para të mëngjesit të sotëm. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se fatkeqësisht kemi jetë të humbura si pasojë e goditjeve.
“Eshtë një moment dramatik ku sidoqoftë duhet të ruajmë me çdo kusht qetësinë, të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit e ta përballojmë këtë goditje SE BASHKU🤝Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë dhe me miqtë e mëdhenj në krah do ta kalojmë edhe këtë situatë🙏#Kurajo #Durim #Solidaritet

MINISTRIA E MBROJTJES KONFIRMON: VIKTIMA E TRETË NË THUMANË, NJË GRUA
Ora: 07:11-
Një viktimë e tretë në Thumanë. Këtë e konfirmon Ministria e Mbrojtjes. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka niset drejt Thumanës. Nderkohe shtabet e emergjencave ne Durres e Kruje po punojne per demet e deritanishme.

META VIZITON TË LËNDUARIT TE TRAUMA: E GJITHË SHQIPËRIA ËSHTË TRONDITUR SHUMË
Ora: 07:00-
Presidenti Ilir Meta vizitoi pak caste me parë personat e lënduar nga tërmeti në Spitalin e Traumës.
“Shpresojme te mos kete viktima te tjera per shkak te ketyre lekundjeve. E rendesishme eshte te evidentohen te gjitha banesat e demtuara dhe nese ka qytetare te cilet kane nevoje per ndihme te menjehershme.

NXIRRET NGA RRËNOJAT TRUPI I PAJETË I NJË PERSONI NË DURRËS
Ora: 06:54- 
Një nga katër pjesëtarët është nxjerr i pajetë nga rrënojat e pallatit në Durrës.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se personi është nxjerr i pajetë nga grupet e shpëtimit, ndërsa ka ende persona të bllokuar nën rrënoja.

I MBIJETUARI NGA TËRMETI: NËN GËRMADHË VAJZA, GRUAJA E MBESA
Ora 06:44-
 Një prej të mbijetuarave të tërmetit, në Thumanë thotë nën rrënojë ka mbetur, gruaja vajza e mbesa e tij. I fashuar, si pasojë e dëmtimeve që ka marr në fytyrë pas lëkundjeve të forta të tërmetit, i moshuari thotë në ankth për fatin e familjarëve se ka mundur të komunikojë me mbesën e cila nën rrënoja bërtet e trembur e kërkon të atin, por nuk ka mundur të dëgjojë zërin e gruas së tij.

BANORI HIDHET NGA BANESA NË KURBIN, NDËRRON JETË
Ora-06:38
– Një banor në qytetin e Kurbinit ka humbur jetën. Dyshohet qytetari ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga pallati si pasojë e panikut nga lëkundjet e forta të tërmetit.
“Sipas informacioneve te deritanishme, nje person ka humbur jetën ne Kurbin pasi eshte hedhur nga banesa per shkak te panikut”, bën të ditur ministria e Mbrojtjes në një deklaratë shpërndarë mediave.

PEZULLOHET MËSIMI NË SHKOLLA NË TIRANË E DURRËS
Ora 06:33 
– Pas tërmetit të fortë që goditi vendin, Ministria e Arsimit ka pezulluar mësimin ditën e sotme në qarqet Tiranë dhe Durrësit. “Njoftim: Sot (26 nëntor 2019) nuk do mbahet mësim në qarqet Tiranë dhe Durrës. Për qarqet e tjera ju njoftojmë ne vijim.”, Shkruan ministrja Shahini në facebook.

MOMENTI KUR BANORËT NXIRREN NGA RRËNOJAT NË THUMANË, SHPËTOHEN DY FËMIJË
Ora 06:05-
 Dëme të mëdha ka shkaktuar tërmeti i sotëm, I cili goditi vendin. Banorët kanë dalë jashtë banesave në panik si pasojë e lëkundjeve të forta. Në Thumane, një godinë është shembur ndërsa disa persona kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ky është moment kur nxirren disa prej tyre nga rrënojat, mes tyre edhe fëmijë.

DY GRA NË THUMANË HUMBIN JETËN
ORA 05:57-
 Dy pallate raportohet të jenë dëmtuar në Thumanë si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit të mëngjesit të sotëm. Nga videot e shpërndarë në rrjetet sociale, dyshohet se disa persona kanë mbetur të bllokuar, ndërsa punohet për nxjerrjen e tyre. Aktualisht ministria e Mbrojtjes konfirmon se në Thumanë dy persona kanë humbur jetën, pasi ishin zënë nga rrënojat (dy gra).

foto galeri
foto galeri
foto galeri
foto galeri

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here