Kreu i Shtetit, Ilir Meta ditën e sotme ka takuar një tjetër ish-presidenti. Gjatë pasdites, në zyrën e Metës ka shkuar Bamir Topi, për të diskutuar për krizën politike në vend dhe ngërçin me Gjykatën Kushtetuese.
Ish-presidenti tha se takimi me Metën u zhvillua brenda parametrave të logjikës politike dhe juridike. Sipas Topit, e gjithë kriza politike është pasojë e 21 prillit 2008.
Topi u shpreh se janë vetëm tre rastet kur mund të shpërndahet, parlamenti duke lënë të kuptohet se nuk është ky momenti.
Rastet kur mund të shpërndahet parlamenti sipas Topit janë:
I pari i përket nenit 87, pika 5 dhe ka të bëjë me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në rast se zgjedhja dështon në të pesta raundet, Kuvendi shpërndahet vetë pa ndonjë dekret presidencial.
“Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij”.
Rasti i dytë parashikohet kur Parlamenti dështon për të zgjedhur Kryeministrin e ri. Në një situatë të tillë, shpërndarja bëhet nga Presidenti, siç përcaktohet në nenin 96 të Kushtetutës, në pikën 4.
“Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin”.
Rasti i tretë ka të bëjë me mocionin e besimit të qeverisë të paraqitur nga vetë Kryeministri, i sanksionuar në Kushtetutë në nenin 104, pika 2. Kur mocioni votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, është Kryeministri ai që i kërkon Presidentit ta shpërndajë Kuvendin.
“Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon asnjë moment tjetër kur Presidenti, me iniciativë të tij të mund të shpërndajë Kuvendin.