Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi ditën e djeshme tre emrat finalë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në mbledhjen e zhvilluar dje, KLP miratoi listën e emrave kandidat, të cilët janë Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, prokurorja e Prokurorisë së Apelit Tiranë Fatjona Memçaj dhe prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çelaj. Sipas KLP, tre kandidatët plotësojnë kushtet ligjore për të kandiduar për këtë pozicion. Po ashtu, Këshilli vendosi datën 13 nëntor për të zhvilluar intervistat me kandidatët e përzgjedhur. Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video. Ndërsa të tre pretendentët do të njoftohen nominalisht dhe në adresën e postës elektronike që ata kanë deklaruar në momentin e aplikimit. “Mbledhja është mbajtur në praninë e 9 anëtarëve dhe në mungesë të anëtarëve Besnik Cani dhe Nurihan Seiti. Në bazë të nenit 148/a të Kushtetutës, të nenit 22 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 17/pika 4 të rregullores “Për kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi miratimin e listës me emrat e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të cilët plotësojnë kushtet ligjore sipas rendit alfabetik si më poshtë: Arta Marku; Fatjona Memçaj; Olsian Çela. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, njofton se në datën 13 nëntor 2019 duke filluar nga ora 9:30 do të zhvillohen intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik”, thuhet në njoftimin e KLP. Pas intervistave, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bëjë renditjen e kandidatëve e cila do t’i kalojë Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk arrin të miratojë një kandidat me 94 vota atëherë automatikisht Prokuror i Përgjithshëm zgjidhet kandidati i renditur i pari në listë nga KLP. Në rast mos zgjedhje në krye të akuzës, prokurorja e përkohshme Arta Marku ka të drejtë të emërohet gjyqtare në Gjykatën e Apelit. Puna për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm kishte ngecur për shkak të padisë së kandidatit Lulzim Alushaj ndaj KLP, pasi kjo e fundit e kishte përjashtuar nga gara pasi nuk plotësonte 15 vjet eksperiencë. Por të premten e kaluar, Gjykata Administrative e Apelit rrëzoi padinë e avokatit Alushaj për skualifikim të padrejtë nga gara.
Drejtësia hyn në shina
Reforma në drejtësi tashmë po hyn në shina dhe po shkon drejt kompletimit. Gjykata Kushtetuese e cila ka gati dy vjet jashtë funksionimit, tashmë po plotësohen vakancat e lëna bosh dhe shumë shpejt do të jetë funksionale. Po ashtu, po punohet intensivisht dhe shumë shpejt vendi do ketë kryeprokuror me mandat të plotë 7-vjeçar. Një tjetër organ shumë i rëndësishëm që pritet të ngrihet brenda vitit është Struktura e Posaçme Antikorrupsion, e cila do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. Por edhe Gjykata e Lartë e cila momentalisht është jashtë funksionimit,shumë shpejt do jetë funksionale. Të gjitha organet e drejtësisë do jenë shumë shpejt gati, çka tregon qartë se reforma në drejtësi dha rezultate pozitive.
Elisjeda Kiko