Zbardhet drafti i ekspertëve për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Ditën e sotme në orën 9:30 në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhet komisioni për reformë zgjedhore, ku në rendin e ditës do të jetë konstituimi dhe raportimin e grupeve të punës si dhe prezantimi i paketës së parë që adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës. Pavarësisht deklaratave të hershme, Partia Socialiste është tërhequr nga kërkesa e saj sa i takon depolitizimit të komisioneve, duke e çuar fokusin kryesor të shpenzimet gjatë fushatës elektorale. Por ky është një draft paraprak dhe në produktin final që del në fund të nëntorit pritet për tu parë nëse do të ketë ndryshime të tjera në draftin e reformës zgjedhore. Sa i takon shpenzimeve të fushatës zgjedhore, në draft propozohet një ndryshim në pikën 21 të nenit 1 në Kodin Zgjedhor. “Shpenzime të fushatës zgjedhore janë shpenzime të bëra nga ose në emër të një partie politike të regjistruar si subjekt zgjedhor, përfshirë kandidatët dhe/ose degët e saj, ose nga një kandidat i pavarur, për të promovuar një parti, kandidatët e saj ose një kandidat të pavarur në zgjedhje, ose përpjekjen për të dëmtuar perspektivën e një partie tjetër, kandidatëve të partisë tjetër ose një kandidati të pavarur”, thuhet në draftin e propozuar.
Fushata zgjedhore
Gjithashtu në ndryshimet e propozuara në draftin për Kodin Zgjedhor, PS ka vendosur të forcojë edhe më tej rolin e KQZ në fushatë zgjedhore, duke detyruar institucionet publike qendrore dhe vendore, të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën gjashtë muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve. “Në rast se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton nga informacioni sipas pikës 2 të këtij neni, se veprimtaria mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore, atëherë ajo urdhëron ndalimin e zhvillimit të saj. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ” në ndërfaqen e raportimit, në pjesën që i takon veprimtarisë. Shënimi “Ndaluar nga KQZ” vendoset jo më vonë se 24 orë nga raportimi. Informacioni sipas kësaj pike është i aksesueshëm nga të gjithë përdoruesit e ndërfaqes nga momenti i hedhjes së të dhënave deri në datën e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në draft. Lidhur me sanksionet e financimit të fushatës, në draftin paraprak parashikohet se kush nga përgjegjësit e financës së partisë politike shkel dispozitat për financimin e fushatës zgjedhore do të dënohet me gjobë nga 100 mijë lekë deri në 200 mijë lekë. Ndërsa mosbashkëpunimi me auditin e KQZ do të dënohet nga 2 milionë deri në 3 milionë lekë, si dhe me pezullim të financimit publik të partisë politike deri në 5 vjet. Ndërsa mosparaqitja e një raporti financiar për fushatën brenda afatit ligjor dënohet me një gjobë prej 2 000 000 lekë. Paraqitja e raporteve në shkelje të formateve të standardizuara të miratuara nga KQZ-ja dënohet me gjobë prej 500 000 deri 1 000 000 lekë. Po ashtu, në draft theksohet se fondet jopublike të përftuara nga një parti politike, identiteti i dhuruesit të të cilave nuk dihet ose nuk përcaktohet qartësisht, transferohen në llogarinë e KQZ-së. Moskalimi çon në konfiskimin e fondeve të marra dhe në një gjobë të barabartë me shumën e fondeve të marra. Drafti adreson rekomandimet e ODIHR-it për fushatën zgjedhore, kuotat gjinore, financimin e fushatës, regjistrimin e subjekteve dhe abuzimin e administratës. KQZ-ja do të ndërtojë një portal për denoncime në lidhje me financimet. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin Raport Financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve. Në draft ndalohen donacionet mbi 30 mijë lekë cash, kur nuk është bërë përmes transaksioneve bankare dhe dënohet me një gjobë të barabartë. Donatorët nuk mund të përfitojnë kontrata publike apo si nënkontraktorë për 3 vite ose në çdo mënyrë tjetër fonde që tejkalojnë 10 mln lekë.
Ashpërsohen dënimet për krimet zgjedhore
Po ashtu pjesë e ndryshimeve të neneve në Kodin Zgjedhor është edhe për shitblerjen e votave. Në draft theksohet se kushdo parti politike që përfshihet në afera korruptive në këmbim të votës, do të ndalohet dhe do mbajë përgjegjësi penale. “Subjekteve zgjedhore u ndalohet dhe mbajnë përgjegjësi penale në rast se ofrojnë ose japin të holla, të mira materiale, premtojnë për vend pune ose favorizime të tjera në cilëndo formë, për zgjedhësin ose persona të tjerë të lidhur me të, me qëllim marrjen e firmës për paraqitjen e një kandidati në zgjedhje, për të votuar në një mënyrë të caktuar, për të marrë pjesë ose jo në votime, ose për t’u angazhuar në veprimtari të paligjshme për mbështetjen e një kandidati ose partie politike”, thuhet në draft.
Elisjeda Kiko