Reforma zgjedhore ka qenë një nga diskutimet më të mëdha në arenën politike. Sulmet dhe akuzat e opozitës jashtëparlamentare nuk kanë munguar në drejtim të bashkëkryetarëve Rudina Hajdari dhe Damian Gjiknuri. Mazhoranca qeverisëse e ka lënë një karrige bosh për Partinë Demokratike që të ulet në tryezën e reformës zgjedhore dhe ta miratojnë atë. Por demokratët shprehen të bindur se nuk do të ulen në tryezë, duke kërkuar kështu largimin e Damian Gjiknurit nga pozicioni i bashkëkryetarit. Por ndonëse ditën e sotme mazhoranca dhe opozita parlamentare do mbledhin komisionin e reformës zgjedhore, opozita jashtëparlamentare do mbledhë grupin e punës. Burime zyrtare nga selia blu bënë me dije se në të njëjtën orë që do të zhvillohet takimi i radhës te Kryesia e Kuvendit për të ngritur grupet e punës që do të punojnë për sistemin zgjedhor dhe votën e emigrantëve, opozita do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu, pikërisht për reformën zgjedhore. “Opozita është thellësisht e angazhuar me reformën zgjedhore. Ne e kemi bërë të qartë tek tryeza e organizuar nga OSBE që duam të japim kontributin tonë për reformën. Për këtë qëllim, nesër në orën 9:30, do të mblidhet grupi i punës së opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore”, tha një burim zyrtar nga PD. Po ashtu, sipas burimeve bëhet me dije se opozita ka vendosur që grupi i punës për reformën zgjedhore të drejtohet në nivel politik nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Nga PD do të jenë pjese e grupit Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Endri Hasa dhe Arben Ristani. Të gjitha partitë e koalicionit do të kenë përfaqësuesit e tyre në grup pune: LSI ka caktuar 3 përfaqësues; PR dhe PDIU nga 2 përfaqësues; PAA, PDK, LZHK, PBDNJ nga 1 përfaqësues. Por pavarësisht vendimit të opozitës jashtëparlamentare për të bojkotuar reformën zgjedhore, kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë pak ditë më parë se miratimi i kësaj reforme me rekomandimet e OSBE do të mbyllet brenda këtij viti, me apo pa PD. “Reformën zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë – sikundër përcaktohet edhe në pikën përkatëse të Parlamentit gjerman – në Parlament dhe në Parlament në dijeninë time ka një opozitë e cila është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore, ku ka dhe një karrige bosh për miqtë tanë të opozitës jashtë parlamentare dhe është në të drejtën e tyre të ulen apo të mos ulen në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR”, tha Rama pak ditë më parë.