Orkestra e Harqeve në Vlorë, me një koncert homazh

0
405

Orkestra e Harqeve e qytetit të Vlorës, nën dirizhimin e Oleg Arapit, vjen këtë mbrëmje me një koncert homazh në teatrin “Petro Marko”. Koncerti zhvillohet në kuadër të 100- vjetorit të lindjes të kompozitorit, dirigjentit vlonjat, “Artistit të Merituar”, profesor Themistokli Mone. Në program do të interpretohen “Palladio” e Karl Jenkins, suita “Holberg” e Grieg, “Libertango” e A. Piazzolla, Bach, koha e parë e koncertit për violinë dhe premiera absolute e valles për violinë e harqe të kompozitorit Liman Maloku, interpretuar me mjeshtri nga violinistja 10 vjeçare Klea Bardhoshi. Po kështu soprano Eliona Lici do të interpretojë “O moj e bukur Arbëri”, ndërsa soprano Nina Muho do të interpretojë “La Spagnola” të Di Chiara dhe “Baresha” të autorit Rexho Mulliqi. Drejtori i teatrit “Petro Marko” Dhimitraq Furxhiu, shprehet se ky aktivitet është në vazhdën e disa koncerteve, si koncerti i 40- vjetorit të krijimit të Orkestrës Simfonike të Vlorës, Takimit Kombëtar të Harqeve zhvilluar në qytetin e Elbasanit, koncerti në kuadër të çeljes të sezonit turistik. Këto koncerte të drejtuara me mjeshtëri nga dirigjenti Oleg Arapi, kanë pasuruar jetën artistike krahas aktiviteteve të ndryshme si shfaqjet teatrore, estradës së qytetit, teatrit të kukullave, grupeve polifonike, baletit, konkurseve të ndryshme, etj. Ditën e diel, Orkestra e Harqeve e qytetit të Vlorës do të udhëtojë drejt Elbasanit dhe do të performojë në Takimin Kombëtar të Harqeve. Me aktivitetin e tij ndër vite mjeshtri Oleg Arapi ka marrë vlerësime të ndryshme në botë. Mes tyre edhe Franco Bruno, përfaqësues i CICAL (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës) në Brindisi dhe i Akademisë Ndërkombëtare të Kështjellës Imperiale të krijuar në vitin 1705, në fjalën e tij e cilëson dirigjentin shqiptar si një personalitet të artit. “Pa dyshim është një personalitet, si dirigjent dhe si personazh. Ka demonstruar një profesionalizëm të madh artistik, dhe në mënyrë të veçantë në përcjelljen e ndjenjave njerëzore në shoqëri”, shprehet Bruno për mjeshtrin shqiptar, që këtë mbrëmje do të jetë në koncert në qytetin e Vlorës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here