Zbardhet lista e deputetëve të cilët synojnë të marrin kredi të butë. Edhe pse çdo shpenzim u rimbursohet nga shteti, në Kuvend ka vajtur një propozim nga Myslim Murrizi që ata të marrin kredi me zero interes për shkak se banesat i kanë në rrethe. Kuvendi ka publikuar shpenzimet e deputetëve gjatë muajve korrik-gusht, ku del qartë dhe se kush janë deputetët që jetojnë me qera, të cilëve u jep shteti 35 mijë lekë në muaj për të mbuluar qeratë. Ndër ta mund të përmendim deputetët Eriola Braha, Nimet Musai dhe Enada Kapllani. Por pjesë e përfitimeve nga buxheti i shtetit për qeratë janë edhe deputetët Arlin Çarçani, Halil Jakimi dhe Nikolin Staka. Edhe Selami Jenishehu dhe Kostaq Papa kanë përfituar benefite për qeranë e banesës ku jetojnë. Të fundit në listë për përfitime nga buxheti i shtetit janë Vasil Stejovski dhe Ervis Meço. Pas hyrjes në Kuvend, deputetët e opozitës njësoj si dhe ata të mazhorancës kanë përfituar nga buxheti i shtetit jo vetëm shpenzimet për banesën ku jetojnë, por edhe rimbursim të kartave telefonike. Pjesë e përfitimit ka qenë edhe honoraret dhe dietat. Nga lista bie në sy se janë 10 deputetë të mazhorancës, të cilët kompensohen nga buxheti i shtetit për pagesë e qerasë mujore, ku ndër ta mund të përmendim Senida Mesin, Luan Harusha dhe Fadil Nasufi. Një tjetër deputet që jeton në banesë me qera është Ilirjan Pendavinji, duke vijuar me deputetët Edmond Leka dhe Xhevit Bushaj. Por edhe Edlira Bode, Fatmir Velaj, Artemis Dralo dhe Dritan Bici jetojnë në kryeqytet në banesa me qera dhe kompensohen nga buxheti i shtetit. Por ajo që bie në sy nga deputetët e mazhorancës janë shpenzimet e larta që ka kryer deputeti Ardit Konomi. Ky i fundit në vetëm dy muaj ka shpenzuar plot 54 mijë lekë për qëndrimin në hotel. Por nga buxheti i shtetit për shpenzimet e qerasë kanë përfituar edhe deputetët e opozitës parlamentare.
Shpenzimet për hotele
Por ka edhe deputetë të cilët kanë bërë shpenzime të konsiderueshme në hotele. Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun Korçë Ardit Konomi,i ka shpenzuar 54 mijë lekë hotel në vetëm dy muaj qëndrim. Por një tjetër emër i cili ka përfituar nga buxheti i shtetit për qëndrimin në hotel është edhe deputeti i opozitës Artur Roshi. Sipas listës së publikuar nga Kuvendi, Roshi ka shpenzuar 3 mijë lekë për qëndrimin në hotel.
Përfitimet nga dietat dhe honoraret
Por deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë përfituar nga buxheti i shtetit jo vetëm shpenzimet për qera dhe hotele, por edhe përfitime të konsiderueshme nga dietat dhe honoraret. I vetmi që ka përfituar vetëm dieta dhe jo honorare është kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili ka marrë 55 mijë lekë. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Gjetan Gjetani për një periudhë dy mujore ka përfituar nga buxheti i shtetit shifra marramendëse nga dieta, në shifrën e 150 mijë lekë të reja, ndërsa nga honoraret ka përfituar 2 mijë lekë. Por përfitime të majme nga dietat dhe honoraret për dy muaj kanë pasur edhe deputetët e opozitës. Ambra Borova, Arben Elezi dhe Arlind Çarçani kanë përfituar 75 mijë lekë vetëm nga dietat, ndërsa nga honoraret kanë përfituar deri në 14 mijë lekë./ Elisjeda Kiko